Në një kohë kur diversifikimi i investimeve dhe ndërtimi i kursimeve afatgjata po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për stabilitetin financiar të individëve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) pritet të miratojë dy fonde të reja të propozuara nga Credins Invest: një fond investimi dhe një fond pensioni privat vullnetar, që pritet të sjellin alternativë të re për kursim dhe investim për qytetarët shqiptarë.
Fondet e propozuara nga “Credins Invest” sh.a., pjesë e grupit bankar “Credins Bank”, vijnë si përgjigje ndaj kërkesës së rritur për instrumente financiare më fleksibël, të orientuar drejt qëllimeve afatmesme dhe afatgjata të individëve dhe familjeve.
Të dhënat nga AMF, rendisin “Credins Pension” si një prej fondeve më të mëdha, me 19,260 anëtarë dhe me asete neto rreth 2,6 miliardë lekë. Së shpejti pritet të hapet edhe Fondi i Pensionit me pjesëmarrje të hapur “Master Pension Fund”, të administruar nga “Credins Invest”, shoqëri administruese e fondeve të pensionit privat dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive sh.a.”
Po kështu, Credins, i cili aktualisht zotëron 4 fonde investimi, nga të cilat tre janë fonde investimi alternative, do të hapë së shpejti fondin e investimeve me ofertë publike me pjesëmarrje të hapur “Credins Dynamic”, të administruar nga shoqëria SIK “Credins Invest”, që do të licencohet nga AMF në mbledhjen e fundqershorit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar – mars 2025, në tregun e fondeve të pensioneve private ushtruan aktivitetin e tyre 6 fonde pensioni. Analiza e të dhënave për tregun e fondeve të pensioneve private me pjesëmarrje (të hapur dhe të mbyllur) më 31.03.2025 tregon një total asetesh neto prej 13,36 miliardë lekë, me rritje prej 3.83% krahasuar me 31.12.2024.
Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private me pjesëmarrje (të hapur dhe të mbyllur), më 31.03.2025 rezultoi 46,377 anëtarë, duke shënuar një rritje prej 3.23% krahasuar me 31.12.2024.
Ndërsa, në Tregun e Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive (SIK), operuan 6 shoqëri administruese të licencuara nga AMF nga të cilat 4 janë me kapital vendas dhe 2 janë me kapital të huaj. Numri i fondeve të investimit më 31.03.2025, arriti në 18, nga të cilat 4 janë fonde investimi alternative.
Sipas analizës së të dhënave për tregun SIK më 31.03.2025, vlera neto e aseteve të tregut, arriti rreth 67.01 miliardë lekë ose (Euro 675 milionë) me një rritje prej 5.65 milionë lekë ose 9.21%, krahasuar me 31.12.2024.Numri i investitorëve që kanë investuar në tregun SIK gjatë periudhës 31.03.2025 është 40,053 me një rritje prej 6.00% krahasuar me 31.12.2024.