
Tregu i internetit fiks (broadband) në Shqipëri po përjeton një periudhë zgjerimi të vazhdueshëm dhe riformatimi të balancave të fuqisë.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në tremujorin e tretë të këtij viti numri i familjeve dhe bizneseve të lidhura me internet fiks arriti në mbi 743.5 mijë, duke gjeneruar një treg vjetor të rrjeteve fikse me vlerë rreth 125.0 mln euro.
Por, kush e kontrollon realisht këtë treg të lakmuar dhe si ndahen klientët dhe paratë mes qindra kompanive të licencuara?
Vodafone kryeson me klientë, One me të ardhura
Edhe pse në Shqipëri operojnë plot 224 sipërmarrës, mbi 41.7% e abonentëve dhe 52.1% e të ardhurave të tregut fiks kontrollohen nga dy gjigantët e telekomunikacionit: Vodafone Albania dhe One Albania. Megjithatë, kjo ndarje fsheh një paradoks interesant mes numrit të klientëve dhe fitimeve.
Nga njëra anë, Vodafone Albania kryeson për nga numri i pajtimtarëve me 158.7 mijë lidhje (21.4% e tregut), pasi ka shtuar rreth 27.9 mijë abonentë të rinj gjatë periudhës 2024–2026. Megjithatë, në aspektin financiar kompania renditet e dyta, me 31.0 mln euro të ardhura vjetore, ose rreth 24.8% të tregut.

Nga ana tjetër, One Albania mban vendin e dytë me 151.4 mijë lidhje (20.4%), por mbetet lideri financiar i tregut fiks me 34.1 mln euro të ardhura vjetore (27.3%). Kjo epërsi në vlerë vjen falë kontratave të mëdha me bizneset, të ardhurave nga telefonia fikse dhe dominimit në tregun me shumicë përmes dhënies me qira të linjave dhe fibrës optike.
Të vegjlit
Pas dy gjigantëve, një shtresë e mesme prej gjashtë operatorësh të konsoliduar zotëron rreth 28.1% të pajtimtarëve dhe 25.3% të të ardhurave. Brenda këtij grupi vihen re dy dinamika të kundërta.
Operatorët tradicionalë, si Albanian Satellite Communications (ASC/Tring) me 61.3 mijë pajtimtarë (10.8 mln euro të ardhura) dhe Abissnet me 46.0 mijë pajtimtarë (8.1 mln euro të ardhura), po ruajnë pozitat e tyre, por me një bazë klientësh që ka mbetur thuajse e pandryshuar në dy vitet e fundit.
Në krahun tjetër, sfidues si Digicom (39.9 mijë pajtimtarë dhe 7.4 mln euro të ardhura), Nisatel (31.9 mijë pajtimtarë dhe 5.2 mln euro), I.B.C-Telecom (15.9 mijë pajtimtarë) dhe Fastnet Albania (14.1 mijë pajtimtarë) po shënojnë rritje dyshifrore nga 15.0% deri në 21.4%, duke fituar terren falë investimeve të shpejta në fibër optike.
Një veçori tjetër e tregut shqiptar mbetet fragmentimi i lartë. Pjesa e mbetur prej 30.2% e abonentëve (224.2 mijë lidhje) dhe 22.6% e të ardhurave (28.3 mln euro / 2.5 mld lekë) ndahet mes 216 operatorëve të vegjël dhe rajonalë. Këto kompani lokale, të shtrira në qytete dhe zona rurale, kanë arritur të thithin pothuajse gjysmën e klientëve të rinj të tregut gjatë periudhës 2024–2026.
Elon Musku nuk ngjit në Shqipëri
Në të njëjtën kohë, interneti satelitor mbetet një segment krejtësisht periferik, ku Starlink Albania numëron vetëm 766 pajtimtarë (rreth 0.1% e tregut), pa arritur të fitojë terren ndaj rrjeteve tokësore për shkak të kostove më të larta.
Starlink Albania është pjesë e rrjetit gjigand të zotëruar nga miliarderi amerikan Elon Musk. Por për shkak të kostove të lartë, interneti satelitor i ofruar nga kjo kompani nuk arrin të gjenerojë treg, por mbetet në shifra të papërfillshme.

Në përfundim, tregu i internetit në Shqipëri po karakterizohet nga një paradoks i shëndetshëm për konsumatorin: numri i lidhjeve rritet vazhdimisht, por vlera totale financiare e tregut fiks ka shënuar rënie pas kulmit të vitit 2022 (142.4 mln euro / 12.8 mld lekë), duke zbritur në 125.0 mln euro.