Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndërhyrë në debatin mbi ligjin që i jep imunitet guvernatorit, duke e cilësuar atë si një hap të mirëpritur dhe jetik për pavarësinë e Bankës së Shqipërisë.
Në deklaratën përmbyllëse të Misionit në Tiranë, stafi i FMN-së deklaroi se dispozitat e ligjit të ri për bankën qendrore janë një hap në drejtimin e duhur, që forcojnë autonominë institucionale dhe mbrojnë vendimmarrjen e saj nga çdo presion apo ndërhyrje e jashtme.
"Stafi i FMN-së i mirëpret dispozitat e ligjit të ri për Bankën Qendrore, të cilat forcojnë autonominë institucionale dhe mbrojnë vendimmarrjen e saj," thuhet në deklaratën e misionit.
Vlerësim i drejtpërdrejtë nga institucioni më i lartë financiar ndërkombëtar shuan çdo polemikë politike apo juridike mbi rolin dhe mbrojtjen ligjore të drejtuesve të Bankës Qendrore. Sipas FMN-së, ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është elementi themelor që garanton besueshmërinë e politikës monetare dhe aftësinë e saj për të mbajtur stabilitetin e çmimeve në vend.
Leku u forcua nga turizmi
Krahas mbrojtjes së pavarësisë institucionale të BSH, Fondi Monetar ka ndërhyrë edhe në një tjetër debat, që është shndërruar në pikën më të nxehtë të diskutimeve publike për ekonominë; atë për forcimin e pandalshëm të lekut.
"Mbiçmimi i lekut është mbështetur nga faktorët fondamentalë ekonomikë, përfshirë të ardhurat e larta nga turizmi dhe flukset e qëndrueshme hyrëse të investimeve të huaja direkte," deklaroi misioni i Fondit.
Por ekspertët e FMN kanë shprehur rezerva mbi blerjet masive të eurove nga Banka e Shqipërisë duke i bërë asaj thirrje që ta lërë tregun të lirë.
"Lejimi i një fleksibiliteti më të lartë të kursit të këmbimit do të ndihmonte në përshtatjen me faktorët e jashtëm dhe do të plotësonte efektet e normalizimit të politikës monetare. Ndërhyrjet në tregun valutor duhet të rezervohen për adresimin e kushteve të një tregu me likuiditet të kufizuar," deklaroi FMN.
Gjatë vitit të kaluar Banka e Shqipërisë bleu mbi 1.1 miliardë euro për të përmbajtur fuqizimin e pandalshëm të lekut, ndërkohë që të dhënat sugjerojnë se këtë vit shuma e eurove të blera do të jetë në nivelin e 1 miliardë e gjysmë.