Lajme nga vendi

Albin Kurti hap kuletën për lobim në Uashington, 600 mijë dollarë për një vit tek “Ballard Partners”

Albin Kurti hap kuletën për lobim në Uashington, 600 mijë

Qeveria e Albin Kurtit do të paguajë 600 mijë dollarë për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëveshja është lidhur përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e drejtuar nga Glauk Konjufca, e cila ka kontraktuar firmën e njohur amerikane “Ballard Partners, Inc.”.

Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së (FARA), kontrata ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026 dhe do të zgjasë për një periudhë njëvjeçare.

Kjo lëvizje e qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti synon forcimin e pranisë dhe ndikimit të Kosovës pranë administratës dhe institucioneve federale në Uashington, në një moment kyç për zhvillimet gjeopolitike në rajon.

Detajet e marrëveshjes dhe objektivat
Kontrata parashikon që firma amerikane t'i ofrojë Kosovës këshillim strategjik dhe avokim për çështje gjeopolitike pranë institucioneve në Uashington. 

Sipas dokumentacionit të dorëzuar në FARA, angazhimi i saj do të fokusohet në lobimin e drejtpërdrejtë pranë zyrtarëve amerikanë për mbrojtjen e interesave të vendit, menaxhimin e perceptimit publik përmes materialeve informative, si dhe hapjen e fushave të reja të bashkëpunimit dypalësh mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës

Kostoja financiare
Sipas klauzolave të kontratës së nënshkruar, angazhimi i “Ballard Partners” do t'i kushtojë buxhetit të shtetit 50,000 dollarë në muaj, ose 600,000 dollarë për të gjithë kohëzgjatjen e kontratës. 

Albin Kurti hap kuletën për lobim në Uashington, 600 mijë

Pagesat janë strukturuar në këste tremujore prej 150,000 dollarësh, ku kësti i parë është paguar menjëherë me nënshkrimin e marrëveshjes. 

Përveç tarifës bazë, kontrata parashikon që MPJD-ja të mbulojë edhe shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit (bileta avioni, akomodim, transport) dhe tarifat e regjistrimit, me kusht që ato të miratohen paraprakisht me shkrim.

Dokumentet tregojnë se pika kryesore e kontaktit dhe koordinimit mes firmës lobuese dhe shtetit të Kosovës në SHBA do të jetë Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli. Marrëveshja është lidhur për një afat fillestar prej një viti, me mundësi rinovimi me pëlqimin e dyanshëm të palëve.

Editorial