
Në Shqipëri, statistikat shpesh shërbejnë më tepër si municion politik sesa si busull ekonomike. Prej muajsh, zyrtarët e qeverisë shqiptare duke u nisur nga kryeministri kanë paralajmëruar me tone dramatike se protestat kundër keqqeverisjes po njollosin imazhin e vendit dhe po e shkatërrojnë sektorin jetik të turizmit.
Por vetë agjencia shtetërore e statistikave, INSTAT, duket se nuk e ka marrë këtë mesazh. Sipas raportit të saj të publikuar më 16 nëntor, industria e mikpritjes në Shqipëri jo vetëm që i ka mbijetuar zhurmës së rrugës gjatë shtatorit 2026, por ka shënuar rritje të ndjeshme.
Shifrat lënë pak vend për dykuptimësi. Numri i përgjithshëm i vizitorëve në strukturat akomoduese u rrit me 9,2 % krahasuar me shtatorin e një viti më parë, duke arritur në 578.3 mijë persona.
Turistët e huaj — matësi i vërtetë i tërheqjes ndërkombëtare — u shtuan me 8,1 %, në gati 438 mijë. Edhe shqiptarët që pushuan brenda vendit u rritën me 12,7 %. Rrjedhimisht, net-qëndrimet gjithsej u zgjeruan me 7,5 %, ndërsa norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele u ngjit me 1,3 pikë përqindje, duke arritur në 54,0 %. Për një sektor që supozohej të ishte në prag kolapsi, hotelet duken çuditërisht plot.

Natyrisht, një lexim më i imët i tabelave ofron një grimcë ngushëllimi për pesimistët zyrtarë. Rajoni Qendër — i cili përfshin Tiranën, epiqendrën e protestave, si dhe Elbasanin — ishte i vetmi që regjistroi tkurrje. Vizitorët e huaj atje ranë me rreth 4,9 %, nga 161.4mijë në 153.5 mijë, ndërsa vizitorët vendas u ulën nga 33.9 mijë në 29.2 mijë vetë.
Megjithatë, çfarëdo turbullire politike që mund t'i ketë stepur vizitorët në kryeqytet, nuk ka bërë asgjë për të zbehur oreksin për bregdetin shqiptar. Rajoni i Jugut pa një kërcim prej 14,9 % të turistëve të huaj (në 157.6 mijë), ndërsa Veriu shpërtheu me një rritje prej 19,1 % (në 126.7 mijë).
Pushuesit nga Kosova (13 % e të huajve), Italia (11 %), Polonia (10 %), Franca (9 %) dhe Gjermania (8 %) duket se i kanë kushtuar më shumë vëmendje motit të ngrohtë sesa kronikave politike.
Mësimi për Tiranën zyrtare është i thjeshtë, ndonëse politikisht i papërshtatshëm. Në tregun e turizmit, plazhet e lira dhe dielli i shtatorit kanë peshë më të madhe se propaganda.