
Misteri se përse qeveria shqiptare e mbajti të bllokuar për shtatë vite me radhë parkun fotovoltaik të Akërnisë, e më pas e rijetëzoi papritur në verën e vitit 2025 me të njëjtin çmim të kripur prej 59.9 euro/MWh, duket se ka marrë përgjigjen përfundimtare.
Koncesioni i centralit 100 MW në Vlorë po kalon në duart e konglomeratit turk Çalik Holding, një prej grupeve më të fuqishme të biznesit në Shqipëri.
Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës, dega holandeze e grupit turk, Calik Renewables B.V., ka depozituar më 11 nëntor 2026 kërkesën për blerjen e 100% të aksioneve të shoqërisë Arka Energy B.V. – kompanisë mëmë që kontrollon koncesionin përmes Akerni Solar SHPK. Pala shitëse është shoqëria me seli në Hong Kong, Midami Limited.

Kronologjia e një pazari të gjatë
Në gusht të vitit 2018, qeveria shqiptare hapi ankandin për ndërtimin e të parit central të madh diellor në Shqipëri. Bëhej fjalë për një park fotovolatik me fuqi 100 mega, i cili ishte caktuar të ndërtohej në Akërni të Vlorës.
Pas zhvillimit të garës, në 10 nëntor po të atij viti, Ministria e Infrastrukturës shpalli fitues të centralit konsorciumin India Poëer Corporation. Sipas kushteve të ankandit, kompania do të investonte 70 milionë euro për ta ndërtuar centralin me paratë e veta dhe gjysmën e energjisë së prdhuar prej tij do t'ia shiste shtetit shqiptar për 15 vjet me çmimin 59.9 euro për megavat.
Konsorciumi fitues krijoi në Shqipëri kompaninë Akërni Solar, që do të ndërtonte parkun fotovoltaik. Kjo kompani zotërohej nga një shoqëri e quajtur Arka Energy, me seli në Hollandë
Por vetëm një muaj pas shpalljes së fituesit, ministria e Energjisë do të kthehej me kokëposhtë. Në dhjetor të vitit 2018, Edi Rama largoi nga detyra Damian Gjiknurin duke vendosur në krye të infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Ballukun.
Me të marrë postin e ministres, zonja Balluku u vuri kryqin shumë projekteve të paraardhësit të saj, ku nja nga më të rëndësishmit ishte pikërisht parku fotovoltaik i Akërnisë.
Anullim dhe arbitrazh
Për dy vite me radhë, Belinda Balluku nuk pranoi të firmosë kontratën me India Power Corporation për centralin e Akërnisë, edhe pse kompania ishte shpallur fituese nga shteti shqiptar. Pavarësisht shkresave të vazhdueshme që kompania niste në ministrinë e Energjisë për të lidhur kontratën, ajo nuk mori asnjëherë përgjigje.
Sipas sebepit formal, shkaku se pse nuk firmosej kontrata ishte ai i çmimit të lartë prej 59.9 eurosh që kishte rezultuar nga ankandi, pasi një vit e gjysmë më vonë, ministria e Energjisë zhvilloi ankandin për Karavastanë, ku kompania franceze Voltalia ofroi një çmim prej 24.9 euro për mega.
E gjendur në këto kushte, në dhjetor të vitit 2020, India Power Corporation e paditi Shqipërinë në Gjykatën e Arbitrazhit në Uashington duke kërkuar 110 milionë euro dëmshpërblim nga qeveria për prishjen e njëanshme të kontratës.
Procedurat e arbitrazhit vazhduan me caktimin e trupës së arbitrave që do të gjykonin çështjen. Sipas rregullit, të dy palët caktuan nga një gjyqtar, ndërkohë që dy gjyqtarët caktuan me konsensus anëtarin e tretë, i cili mban edhe postin e kryetarit të trupës. Por pas konstituimit të trupës gjykuese, ra heshtja.
Anullim arbitrazhi
Një vit, pasi kishte regjistruar çështjen, Gjykata e Arbitrazhit në Uashington njoftoi pezullimin e saj. Sipas njoftimit të gjykatës, pala paditëse, pra kompania Arka Energy nuk kishte paguar tarifat paraprake në gjykatë sipas rregullave në fuqi. Dhe vetëm 7 muaj më vonë, Gjykata njoftoi mbylljen përfundimtare të arbitrazhit, për të njëjtin shkak pasi kompania nuk pagoi tarifat gjyqësore.
Në atë kohë e gjitha tingëlloi çuditshëm, pasi kompania kishte një casus shumë të fortë. Ajo ishte shpallur fituese në një garë të rregullt nga qeveria shqiptare dhe më vonë qeveria nuk pranonte t'i firmoste kontratën, pa dhënë asnjë shkak të arsyeshëm përtej arrogancës.
Pra një kompani, e cila kishte shanse të mëdha të fitonte miliona euro e braktisi çështjen duke mos paguar tarifat minimale të gjykatës duke ngritur shumë pikëpyetje. E megjithatë situata do të qartësohej më vonë.
Anullim anullimi
Tërheqja e kompanisë nga arbitrazhi me sa duket ishte rezultat i kulisave që po zhvilloheshin nën rrogoz për të riaktivizuar projektin. Vrën e vitit të kaluar, gjatë një aktiviteti në Fier për të prezantuar arritjet energjetike të qeverisë, Belinda Balluku dha sinjalin e parë se situata kishte ndryshuar.
"Parku i parë (Karavastaja) sot është në proces, ka filluar të prodhojë energji. Në ndërkohë, që sigurisht jemi duke pritur që të kemi rezultatet e para nga Spitalla dhe nga ana tjetër kemi rijetëzuar projektin e Akërnisë, duke bërë kështu bllokun e parë të parqeve të mëdha fotovoltaike," deklaroi Balluku disa ditë para zgjedhjeve në qarkun ku ishte drejtuese politike e fushatës.
Kjo fjali nuk ishte në tym. Koncesioni i keq me çmim të lartë, papritmas u bë i mirë. Ajo që ndryshoi ishte vetëm krushku. Ky do të jetë Caliku i BKT-së.