
Zef Preçi
Më 19 nëntor, nga Ministeriali i Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunim Energjetik në Varshavë, i organizuar me Departamentin Amerikan të Energjisë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi nënshkrimin e dy marrëveshjeve.
Njëra lidhet me gazsjellësin rajonal që do të lidhë Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën me TAP-in. Tjetra lidhet me “vijimin e projektit të Skavicës” në bashkëpunim me Bechtel-in.
Pas pothuajse pesë vitesh heshtjeje institucionale, rikthehet në skenë jo vetëm projekti, por edhe instrumenti që e mban në këmbë: Ligji nr. 38/2021. Ky ligj i jep me emër një kompanie të vetme projektimin dhe ndërtimin e veprës, pa garë publike.
Sipas mendimit tim, njoftimi i sotëm duhet lexuar në dy rrafshe njëkohësisht. Nga njëra anë, ai është vijim i një nisme të hershme qeveritare, e ngritur mbi një ligj ad hoc që zëvendëson konkurrencën me negocim të drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër, ai është një formë promovimi politik jo transparent në emër të zhvillimit dhe të partneritetit strategjik: lajmi jepet në një skenë ndërkombëtare, pa tekst, pa vlerë dhe pa afate, përpara se publiku të ketë parë qoftë edhe një faqe të studimit të fizibilitetit.
Një projekt i vjetër me një instrument të ri
Skavica nuk është ide e re. Ajo është diskutuar për më shumë se pesë dekada si rezervuari rregullues i kaskadës së Drinit, sipër Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Po aq e vjetër është rezistenca e banorëve të Dibrës, të cilët e kundërshtojnë projektin që nga viti 2002.
Projekti u përfshi fillimisht në kornizën e BE-së: Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) kishte miratuar një grant për përgatitjen e investimit, për studimin e parafizibilitetit të të cilit ka punuar edhe autori i këtyre radheve.
Më 10 mars 2020, ministria nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Bechtel International Inc. Pas kësaj, më 15 janar 2021, BE-ja e njoftoi Shqipërinë se po e përfundonte grantin (në fakt nuk e përfundoi studimin në fjalë), duke përmendur memorandumin me SHBA-në për financimin dhe zbatimin e projektit. Ndryshimi thelbësor ndodhi në 2021. Qeveria nuk e ktheu Skavicën në një procedurë të hapur ndërkombëtare.
Ajo zgjodhi rrugën e ligjit të posaçëm. Kuvendi miratoi Ligjin nr. 38/2021 më 23 mars 2021, dhe më 5 korrik 2021 KESH-i nënshkroi me Bechtel-in kontratën e fazës së parë. Kontrata u miratua më pas me VKM-në nr. 485, datë 30.7.2021. Kështu projekti kaloi nga një proces me standarde europiane përgatitjeje në një marrëveshje dypalëshe, të negociuar jashtë rregullave të zakonshme të prokurimit.
Marrëveshja e 2021 dhe narrativa e „investimit amerikan”
Në diskursin publik, projekti u prezantua si „projekt me SHBA-në”, si zgjidhje e sovranitetit energjetik dhe si vepër që do të ndërtohej “brenda këtij mandati”, mandati i tretë i kryeministrit Rama. Në vitin 2022 u njoftua edhe data e vënies në punë: 2028. Por teksti i ligjit tregon tjetër gjë.
Shpenzimet e fazës së parë mbulohen nga KESH-i, pra nga një shoqëri publike shqiptare, dhe faza e parë ka si qëllim të ndihmojë autoritetin kontraktues dhe Këshillin e Ministrave „në sigurimin e mbështetjes financiare për projektin”. Me fjalë të tjera, në vitin 2021 nuk kishte financim, por vetëm një kontraktor të zgjedhur paraprakisht, pa garë. Edhe pesë vjet më vonë nuk ka financim të konfirmuar amerikan.

Sipas Bankwatch, DFC-ja (Korporata Ndërkombëtare e Financimit të Zhvillimit e Shteteve të Bashkuara (DFC) - një agjenci e qeverisë federale amerikane që investon në projekte zhvillimi, kryesisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme) dhe Banka Botërore kanë konfirmuar se nuk po e shqyrtojnë projektin, ndërsa UKEF-i (Agjencia e kredive të eksportit e qeverisë britanike, e cila ofron mbështetje financiare dhe garanci për të ndihmuar bizneset britanike të shesin mallra dhe shërbime jashtë vendit) ka sqaruar se panairi i furnitorëve që organizoi në 2022 “nuk ishte në asnjë mënyrë garanci” për mbështetjen e tij.
Politika mjedisore e DFC-së përjashton digat që zhvendosin 5 mijë ose më shumë banorë ose që përmbytin sipërfaqe të mëdha toke. „Investimi amerikan” është, në fakt, një kontratë shërbimesh e paguar me para publike shqiptare, me një kontraktor amerikan, dhe me financimin e ndërtimit ende të pasiguruar.
Transparenca e pamjaftueshme e ligjit të posaçëm
Ligji nr. 38/2021 mbështetet në një „shprehje interesi paraprak” të depozituar në ministri. Ai nuk përmban kriter krahasimi, as vlerë maksimale, as kërkesë për botimin e kontratës. Ky model nuk është i izoluar. Sipas BIRN-it, Bechtel-i ka fituar në Ballkan kontrata me vlerë afër 4 miliardë euro në dy dekada, shpesh përmes ligjeve të posaçme ose procedurave të përshpejtuara.
Në Maqedoninë e Veriut, një ligj special i korrikut 2021 ia dha konsorciumit Bechtel-Enka dy korridore rrugore me kosto 1,3 miliardë euro; deri në fund të 2023-shit ishin transferuar 206,7 milionë euro, nga të cilat vetëm 0,12% për ndërtim. Kujtojmë se në Shqipëri, kostoja e autostradës Durrës-Kukës u rrit nga 418 milionë euro në mbi 1 miliard euro. Vetë Bechtel-i i quan këto projekte rezultat të konkurrimit transparent dhe i shpjegon rritjet e kostove me ndryshimin e sasive të kërkuara. Pikërisht për këtë, mungesa e konkurrencës në Skavicë nuk është çështje formale, por çështje e vlerës për paranë publike.
Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 3, datë 30.1.2024, konstatoi njëzëri se ligji u miratua pa konsultim publik dhe pa garantuar pjesëmarrjen e publikut në fazën e parë, në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës dhe me Konventën e Aarhusit. Megjithatë, Gjykata nuk e shfuqizoi ligjin. Ajo arsyetoi se cënimi mund të riparohej sepse projekti ishte ende në fazën e parë, dhe urdhëroi autoritetet t'i jepnin publikut akses në studimet, në gjetjet për ndikimet dhe në procedurën e vendimmarrjes.
Kërkesa e „Res Publica”-s dhe e „Impetus”-it nuk kaloi në seancë plenare për mungesë legjitimimi. Pothuajse tre vjet pas këtij vendimi, kontrata e fazës së parë, produktet e saj dhe raportet teknike mbeten të papublikuara. Sipas raportit qeveritar për Konventën e Bernës, ato do të ndahen me publikun vetëm pasi të marrin „formën përfundimtare”. Kjo e kthen konsultimin nga mjet ndikimi në një formalitet pas vendimit.
Afatet e ligjit dhe heshtja e gjatë e autoriteteve
Ligji nr. 38/2021 i rregullon me ditë afatet e kontraktimit:
• propozimi zyrtar i Bechtel-it për fazën e parë: 4-6 javë pas hyrjes në fuqi të ligjit; fillimi i negociatave nga KESH-i: brenda 5 ditëve nga propozimi;
• dakordësimi i kushteve të fazës së parë: 30 ditë, ose afat më i gjatë me dakordësi Bechtel-ministri; nënshkrimi: 3 ditë pune; dërgimi në Këshillin e Ministrave: 3 ditë pune;
• krijimi i Komisionit të Negocimit për fazën e dytë me VKM: jo më vonë se 10 ditë nga propozimi i Bechtel-it; negocimi: 60 ditë, i zgjatshëm me dakordësi;
• nënshkrimi i kontratës së fazës së dytë: 3 ditë pune; projektligji në Këshillin e Ministrave: 10 ditë pune; miratimi nga Kuvendi dhe hyrja në fuqi me ligjin miratues.
Paradoksi është se ligji nuk vendos asnjë afat për përfundimin e studimeve bazë të fazës së parë: matjet topografike dhe studimet hidrologjike; studimet dhe inspektimet gjeoteknike në terren; strategjinë e realizimit të projektit; rishikimin dhe finalizimin e vlerësimit të ndikimit mjedisor e social (VNMS); projektin teknik, përfshirë përzgjedhjen e furnitorit të turbinave; shërbime të tjera të dakordësuara për ecurinë e projektimit.
Rezultati është një asimetri e qartë: shpejtësi maksimale për kontraktorin, asnjë detyrim kohor për studimet që duhet të provojnë nëse vepra ia vlen. Afatet politike u shkelën një nga një. VNMS u dorëzua në AKM më 1 mars 2023, por u refuzua automatikisht sepse dokumentacioni nuk u plotësua brenda 15 ditëve; deri në nëntor 2025 KESH-i nuk kishte riaplikuar. Në tetor 2025 kantieri ishte pa punëtorë dhe pa roje, ndërsa rrugët e hyrjes po bëheshin të pakalueshme. Gjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka pasur raportim publik në Kuvend për ecurinë e fazës së parë, as për koston e saj.
Pa studim fizibiliteti publik, pa kosto të qartë
Në regjistrin e transparencës 2026, KESH-i pranon se projekti “është ende në fazën e fizibilitetit”. Analiza kosto-përfitim do të kryhet vetëm pas studimit të plotë, dhe do të llogarisë kostot e ndërtimit, financimit, mirëmbajtjes, zhvendosjes dhe masave mjedisore. Ndërkohë, Ernst & Young po punon për ndikimet financiare të alternativave të ndryshme. Kostoja e vlerësuar u raportua të jetë dyfishuar nga 510 milionë në 1 miliard euro, dhe më pas mbi 1,5 miliardë dollarë.
Kostoja e zhvendosjes mbetet e paparashikueshme, sepse shumica e shtëpive në Dibër nuk kanë dokumente pronësie. Pa një fizibilitet të hapur, publiku nuk mund të verifikojë pretendimet kryesore të qeverisë: rritjen e prodhimit, rregullimin e kaskadës dhe uljen e përmbytjeve në Shkodër. Nuk mund të krahasojë Skavicën me alternativat, si diellorja, era apo rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese, në një vend ku prodhimi i energjisë varet pothuajse tërësisht nga hidrocentralet. Dhe nuk e dihet se sa ka paguar deri tani KESH-i për fazën e parë.
Kostoja mjedisore dhe sociale: Dibra si çmim
Skavica do të përmbyste pjesën e fundit të lirë të Drinit të Zi. Studime të besueshme tregojnë se jo do të ndërpriste korridorin e rrëqebullit ballkanik, me një popullatë globale prej rreth 30 individësh, midis Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe Munellës. Do të shkatërronte habitatet kryesore të të paktën gjashtë llojeve peshqish të mbrojtur nga Rezoluta 6 e Konventës së Bernës dhe pyllin bregor të verrit, plepit e shelgut, habitat me prioritet sipas Direktivës së Habitateve.
Kostoja njerëzore është edhe më e rëndë. Sipas Bashkisë Dibër, preken rreth 20 000 banorë dhe 2 636 shtëpi, ndërsa toka e përmbytur mund të arrijë 15 mijë hektarë, ndër më pjellorët e vendit. Aktivistët vlerësojnë se mund të preken më shumë se një e katërta e 86 mijë banorëve të rajonit, në 33 fshatra. Në maj 2024, 16 nga 31 anëtarët e Këshillit të Qarkut Dibër miratuan një rezolutë kundër projektit, sepse do të përmbyteshin 10 nga 15 njësitë administrative.
Bëhet fjalë për pjesën më të zhvilluar të luginës së Dibrës, me tokat, tregjet, rrugët dhe vendbanimet ku ruhen historia dhe ekonomia e trevës. Ankesa nr. 2023/01 mbetet e hapur pranë Konventës së Bernës. Pikërisht ky kundërshtim qytetar, bashkë me rritjen e kostos, mungesën e lejes mjedisore dhe mungesën e financimit, e çoi projektin në një ngrirje faktike pas 2022-shit. Projekti u cilësua si i vonuar dhe i lënë mënjanë. Rikthimi i tij sot, pa asnjë përgjigje ndaj këtyre shqetësimeve, është një mesazh i paqartë për komunitetin e prekur.
„Dekriptimi” i fjalës së ministrit nga Varshava
Ministri përgjegjës për energjinë, z. Enea Karakaçi deklaroi në Varshavë: “Po zhvillojmë dhe po përmbyllim të gjitha studimet e nevojshme mjedisore të fizibilitetit […] kemi ecur mirë aty, po shikojmë edhe disa elemente të tjera teknike për ta bërë tashmë projektin të financueshëm” [2]. Lexuar me kujdes, deklarata mendoj se pranon pesë gjetje:
• studimet ende nuk janë përmbyllur, pesë vjet pas nisjes së fazës së parë, që ligji e konceptonte si fazë përgatitore të shkurtër;
• projekti nuk është ende i financueshëm, pra mbyllja e financimit nuk ka ndodhur;
• “elementet e tjera teknike” lënë të hapur rishikimin e projektit, përfshirë alternativat e lartësisë së digës, që përcaktojnë sa fshatra përmbyten;
• forma e dokumentit është e paqartë: një media e quan “kontratë”, një tjetër “marrëveshje”;
• skena e zgjedhur është gjeopolitike, jo institucionale: lajmi jepet para partnerëve të huaj, jo para Kuvendit apo komunitetit të Dibrës.
Kjo përputhet me raportin qeveritar të janarit 2026 për Konventën e Bernës. Sipas tij, studimet në terren dhe projekti paraprak janë përfunduar, me oponencë nga Universiteti Politeknik i Tiranës. VNMS-ja është dorëzuar, por kërkon shqyrtim nga KESH-i dhe nga një palë e tretë e pavarur. Fizibiliteti financiar dhe interesi i institucioneve financuese janë ende në shqyrtim. Kalimi në zbatim kushtëzohet nga përfundimi i raporteve, angazhimet për financim, vendimi qeveritar dhe kërkesat mjedisore e sociale. Me pak fjalë, Varshava nuk solli asnjë fakt të ri të verifikueshëm, por vetëm dha një sinjal politik.
Çfarë thotë ligji për fazën e dytë
Juridikisht, faza e parë përgatit bazën për vendimmarrje, ndërsa faza e dytë parashikon projektimin përfundimtar dhe realizimin fizik të veprës. Faza e dytë kërkon propozim të ri nga Bechtel-i, Komision Negocimi të ngritur me VKM, kontratë të veçantë, projektligj miratues dhe miratim nga Kuvendi. Kontrata hyn në fuqi vetëm me hyrjen në fuqi të ligjit miratues. Përmbyllja e fazës së parë nuk e aktivizon automatikisht kontratën e ndërtimit.
Ndërkohë, ligji nuk ka asnjë dispozitë për zgjidhjen ose ndërprerjen e kontratës me Bechtel-in. Shfaqja e shtetit varet tërësisht nga kushtet e një kontrate që publiku nuk i njeh. Prandaj e gjithe kjo histori mund te formulohet pak a shumë kështu: Skavica është projekt në zhvillim dhe përgatitje për investim, jo hidrocentral në ndërtim të konfirmuar. Marrëveshja e njoftuar sot sinjalizon vijimësinë politike dhe institucionale, por kushtet e saj duhen parë për të përcaktuar nëse ndryshon detyrimet kontraktore të vitit 2021. Pa tekstin e dokumentit, përfundimi më i besueshëm është se ajo synon avancimin e përgatitjes drejt financimit, jo autorizimin e menjëhershëm të ndërtimit.
Çështjet pezull dhe pyetjet pa përgjigje
- Forma juridike e dokumentit të Varshavës (kontratë, memorandum mirëkuptimi apo ndryshim i kontratës ekzistuese) dhe titulli i tij,
- Identiteti i plotë i palëve nënshkruese: ministria, KESH-i, Bechtel International Inc. apo Bechtel Limited.
- Vlera financiare, pagesat shtesë, garancitë shtetërore dhe shpenzimet e deritanishme të KESH-it për fazën e parë.
- Ndryshimet konkrete ndaj kontratës KESH-Bechtel të 2021 dhe nëse ato kërkojnë miratim nga Këshilli i Ministrave.
- Afatet e reja për studimet, për propozimin e fazës së dytë dhe për fillimin e ndërtimit.
- Mbyllja e financimit: cilat institucione, me çfarë kushtesh dhe me çfarë barre për buxhetin e shtetit.
- Hyrja në fuqi e kontratës përfundimtare të ndërtimit, e cila kërkon ligj të veçantë të Kuvendit.
- Kostoja përfundimtare dhe një afat i detyrueshëm përfundimi.
- Miratimet mjedisore dhe sociale: VNMS-ja, plani i zhvendosjes dhe i shpronësimeve, leja e AKM-së.
- Mungesa e një dispozite në Ligjin nr. 38/2021 për zgjidhjen ose ndërprerjen e kontratës me Bechtel-in.
- Zbatimi i vendimit nr. 3/2024 të Gjykatës Kushtetuese për informimin dhe konsultimin e komunitetit të prekur.
- Publikimi i raporteve të fazës së parë dhe miratimi i tyre nga Këshilli i Ministrave, siç e kërkon neni 5 i ligjit.
Çfarë duhet bërë?
Sipas mendimit tim, janë të nevojshme të ndërmerren edhe këto hapa:
- Botimi i plotë i dokumentit të nënshkruar në Varshavë dhe i kontratës së fazës së parë të vitit 2021
- Botimi i studimeve të fazës së parë, i oponencës së UPT-së dhe i VNMS-së përpara finalizimit, sipas vendimit nr. 3/2024.
- Një analizë kosto-përfitim e pavarur, që e krahason Skavicën me alternativat energjetike.
- Raportim i qeverisë në Kuvend për shpenzimet, afatet dhe statusin e kontratës.
- Konsultim real me Dibrën dhe me njësitë e prekura përpara çdo hapi drejt fazës së dytë.
- Rishikimi i Ligjit nr. 38/2021, me dispozita për transparencën, afatet dhe ndërprerjen e kontratës, ose kalimi në procedurë konkurruese.
Si perfundim, njoftimi i Varshavës mendoj se është i dyfishtë. Nga njëra anë është vijim i një nisme të hershme qeveritare që, në thelb, mbetet ligj i posaçëm ndryshe “ligj me porosi”: zgjedh paraprakisht kontraktorin, shmang konkurrencën, nuk përcakton afate për studimet dhe nuk parashikon mekanizëm për daljen nga kontrata. Dhe nga ana tjetër është promovim politik jotransparent në emër të zhvillimit, ku partneriteti strategjik përdoret për të zëvendësuar llogaridhënien e brendshme.
Rreziqet janë të qarta dhe krejt të ngjashme me një numer kontratash problematike të qeverisë shqiptare të dekadës së fundit: favorizim i një kontraktori, zhvlerësim i pasurive publike, si toka, lumi dhe kaskada e Drinit, dhe përfitime të paqarta për interesin publik. Një vepër infrastrukturore që do të ndryshonte përgjithmonë një luginë të tërë nuk mund të ndërtohet mbi deklarata. Ajo duhet të ndërtohet mbi dokumente të publikuara, mbi studime, analiza e shifra të verifikueshme dhe mbi pëlqimin e njerëzve që do ta paguajnë më shtrenjtë.