Lajme nga vendi

Një faturë e gjelbër/ Projektligji për eficiencën energjetike vjen me kosto për shtetin dhe biznesin

Një faturë e gjelbër/ Projektligji për eficiencën

Për vite me radhë, institucionet dhe sipërmarrësit shqiptarë janë përballur me fatura të kripura dhe çmime të luhatshme të energjisë. Tani, atyre po u shtohet një barrë e dytë financiare: kostoja e detyrueshme e kursimit. 

Një projektligj i ri "Për Eficiencën Energjetike", i hartuar për të transpozuar plotësisht Direktivën e Bashkimit Europian, vendos rregulla të reja që kërkojnë shpenzime të menjëhershme dhe të larta për uljen e konsumit. 

Ndërsa qeveria e shet reformën si një hap drejt sigurisë energjetike dhe neutralitetit klimatik, relacioni shoqërues pranon hapur atë që buxheti i shtetit dhe tregu e dinë mirë: kjo valë e re detyrimesh vjen me kosto të larta fillestare si për shtetin ashtu dhe për bizneset, veccanërisht ato që kanë konsum të lartë energjie. 

Shteti ka vendosur ta nisë reformën nga vetja, duke i veshur sektorit publik një rol shembullor, por të kushtueshëm. Nga tetori i vitit 2027, konsumi total i energjisë i administratës publike duhet të bjerë me të paktën 1.9% çdo vit. 

Për ta arritur këtë, ministritë detyrohen të rinovojnë çdo vit 3% të sipërfaqes së ndërtesave qendrore dhe bashkitë 2% të ndërtesave vendore, për t'i kthyer ato në godina pa emetime. Kësaj fature i shtohet detyrimi për "prokurim publik të gjelbër", ku shteti do të blejë apo marrë me qira vetëm godina dhe pajisje të klasave më të larta të eficiencës, si dhe do të punësojë menaxherë energjie në çdo bashki. 

Megjithëse relacioni pranon se kostoja e plotë ende nuk është llogaritur dot, ministritë dhe bashkitë urdhërohen t'i gjejnë këto para brenda tavaneve ekzistuese të buxhetit.

Në sektorin privat, barra bie në mënyrë asimetrike. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – shtylla kurrizore e ekonomisë së vendit – kursehen nga detyrimet direkte. 

Shënjestra janë "konsumatorët e mëdhenj": çdo subjekt që djeg më shumë se 3 teraxhaul (rreth 833 mijë këh) energji në vit. Në terma praktikë, kjo përfshin fabrikat përpunuese, qendrat tregtare dhe hotelet e mëdha të bregdetit, faturat mujore të të cilave i kalojnë 1.2 milionë lekët.

Për këtë elitë biznesesh, viti 2027 sjell tre kosto të pashmangshme. E para është burokratike: deri në mars të atij viti, kompanitë duhet të paguajnë auditorë të pavarur për të skanuar humbjet e energjisë çdo tre vjet. 

E dyta është administrative: ligji detyron punësimin e një "menaxheri energjie" të certifikuar me kohë të plotë, duke rritur kostot fikse të personelit në një treg pune që tashmë vuan për specialistë. E treta është kapitale: brenda 60 ditëve nga auditimi, bizneset duhet të hartojnë plane investimi që ulin konsumin me të paktën 4%, kudo ku kjo ka leverdi ekonomike.

Për gjigantët e tregut, rregullat shtrëngohen edhe më tej. Kompanitë me konsum mbi 85 teraxhaul detyrohen të certifikohen me standardin ndërkombëtar ISO 50001 deri në tetor 2027. Qendrat e të dhënave (data centers) mbi 1 megavat duhet të investojnë për të ripërdorur nxehtësinë e serverave, ndërsa furnizuesit e energjisë dhe tregtarët e karburanteve ngarkohen me objektiva vjetore kursimi te klientët e tyre.

Për të zbutur rezistencën e tregut dhe barrën mbi buxhetin, qeveria po rikrijon Fondin Kombëtar për Eficiencën e Energjisë, i cili u shfuqizua në vitin 2021. Ideja është e zgjuar: fondi do të operojë si mekanizëm qarkullues, duke ofruar kredi të buta dhe grante të pjesshme që shlyhen nga vetë kursimet e energjisë, pa krijuar borxh publik dhe pa u lejuar të marrë hua në treg. 

Megjithatë, kapitali fillestar do të dalë sërish nga buxheti i shtetit, ndërsa bizneset që duan të prekin këto fonde duhet të paguajnë më parë nga xhepi për një auditim energjetik.

Logjika ekonomike e Brukselit është e qartë: investimet e sotme në teknologji të gjelbër ulin shpenzimet nesër dhe e bëjnë ekonominë më konkurruese. Por në Tiranë, ku qasja në kapital është e shtrenjtë, buxhetet e bashkive janë të shtrënguara dhe tregu i auditorëve të certifikuar është ende në embrion, afatet e vitit 2027 duken të ngushta. 

Për bizneset që do të zvarrisin këmbët, ligji ka rezervuar gjoba deri në 5 milionë lekë, ndërsa institucionet publike do të detyrohen të hartojnë plane korrigjuese. Për shtetin dhe sipërmarrjen shqiptare, energjia e gjelbër premton fitime në afatgjatë, por në afatshkurtër ajo vjen me një faturë të kripur.

Editorial