Lajme nga vendi

Kur motori ndalet

Kur motori ndalet

Pavarësisht një rimëkëmbjeje të lehtë dhjetëmujore, eksportet e Shqipërisë mbeten të mbërthyera në stanjacion, duke ekspozuar dobësitë e modelit ekonomik dhe peshën e një leku gjithnjë e më të fortë.

Për një ekonomi të vogël që mbështetet te tregjet e huaja për të nxitur rritjen, eksportet janë barometri më i saktë i vitalitetit. Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se, pavarësisht një kthese të lehtë në letër, ky barometër në Shqipëri ka mbetur në vendnumëro.

Gjatë dhjetëmujorit të parë të vitit 2026 (Janar–Tetor), eksportet e mallrave arritën vlerën e rreth 312 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 7,6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Por nëse zgjerohet perspektiva, kjo rritje duket më shumë si një korrigjim statistikor nga një bazë shumë e ulët, sesa si një rimëkëmbje e vërtetë.

Pas kulmit historik prej 481 miliardë lekësh në vitin 2022, eksportet shqiptare hynë në një trajektore rënëse prej tre vitesh radhazi, duke zbritur në 430 miliardë në 2023-shin, 369 miliardë në 2024-ën dhe në vetëm 346 miliardë lekë në vitin 2025—një tkurrje totale prej gati 28 %.

Kur motori ndalet

Me ritmin aktual dhjetëmujor, ku vlera e shitjeve jashtë vendit mbetet e mbërthyer në fashën e 31–35 miliardë lekëve në muaj (përveç rënies sezonale të gushtit), viti 2026 pritet të mbyllet rreth kufirit të 370 miliardë lekëve, ende mbi 100 miliardë lekë larg nivelit të katër viteve më parë.

Një nga arsyet kryesore të këtij ngërçi është mbiçmimi i pandalshëm i monedhës vendase. Gjatë vitit 2026, euroja vijoi rënien e saj historike, duke zbritur nga rreth 96,6 lekë në Janar në kufirin e 90,67 lekëve në Nëntor—një forcim i lekut me mbi 6 % brenda këtij viti. Për eksportuesit shqiptarë, të cilët i arkëtojnë të ardhurat në euro dhe i paguajnë kostot në lekë, kursi i këmbimit ka vepruar si një taksë e heshtur.

Përkthimi i kontratave uvropiane në një lek gjithnjë e më të fortë jo vetëm që ka gërryer marzhet e fitimit, por ka tkurrur artificialisht edhe vlerën në lekë të eksporteve të raportuara. Kjo goditje valutore po përshpejton dobësimin e dy shtyllave tradicionale të eksportit shqiptar. 

Sikurse konfirmojnë edhe të dhënat e fundit të INSTAT, grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, së bashku me tekstilet dhe këpucët, vijojnë të ushtrojnë presion rënës mbi bilancin tregtar.

Për sektorin fason, i ndërtuar mbi krahun e lirë të punës, koha po mbaron: rritja e pagave në vend, kombinuar me rënien e euros, po e nxjerr jashtë loje këtë industri, ndërkohë që ekonomia ende nuk ka krijuar alternativa të mjaftueshme për ta zëvendësuar atë.

Ajo që e mban treguesin dhjetëmujor në territor pozitiv nuk është një bum industrial, por energjia dhe lëndët e para, të mbështetura nga një rritje graduale e makinerive dhe pjesëve të këmbimit.

 Kjo do të thotë se eksportet shqiptare mbeten peng i kushteve hidrike dhe luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare të mallrave bazë, ndërsa prodhimi me vlerë të lartë të shtuar rritet me ritme tepër të ngadalta për të ndryshuar strukturën e ekonomisë. Edhe gjeografia e tregtisë pasqyron këtë lodhje.

Ndonëse Bashkimi Evropian thith mbi 71 % të eksporteve shqiptare, kërkesa nga partnerët kryesorë si Italia dhe Gjermania rritet me ritme të vakëta, ndërsa tregjet fqinje si Kosova dhe Greqia shënojnë tkurrje, duke treguar se prodhimet shqiptare po humbasin konkurrueshmërinë edhe në rajon.

Ndërkohë që eksportet bëjnë vendnumëro në terma afatgjatë, kursi i fortë i lekut po ushqen oreksin për mallra të huaja. Gjatë dhjetëmujorit Janar–Tetor 2026, importet (të cilat janë bërë më të lira në lekë) kapën shifrën e rreth 777 miliardë lekëve (+5,3 % me bazë vjetore), duke e çuar defiçitin tregtar dhjetëmujor në 467 miliardë lekë.

Kur motori ndalet

Shkalla e mbulimit të importeve me eksporte është stabilizuar në rreth 40,2 %, shumë larg nivelit prej 50,6 % të arritur në vitin 2022. 

Për sa kohë që Shqipëria eksporton mallra të papërpunuara me një monedhë të mbiçmuar dhe importon gjithçka tjetër, stanjacioni i eksporteve mbetet një faturë e rëndë për ekuilibrin makroekonomik të vendit.

Editorial