Lajme nga vendi

Bankat shqiptare i kërkojnë BSH lehtësimin e kufizimeve për të kredituar rrugët dhe hekurudhat e mëdha

Bankat shqiptare i kërkojnë BSH lehtësimin e kufizimeve për

Bankat private i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë të lehtësojë kufizimet rregullatore, që frenojnë kreditimin e projekteve të mëdha në infrastrukturë. Kapitali ka mësuar se Shoqata Shqiptare e Bankave i është drejtuar përmes një shkrese zyrtare Bankës Qëndrore duke i kërkuar që të zbusë koefiçientët e përllogaritjes së riskut për kreditë që jepen për ndërtimin e veprave të mëdha infrastrukturore si rrugët, hekurudhat, portet, aeroportet dhe ujësjellësat.

Fjala është kryesisht për projektet koncesionare, por edhe për veprat potencialisht të mëdha, që ndërtohen nga buxheti i shtetit, por kërkojnë paraprakisht financime të mëdha për nisjen e punimeve në terren.

Aktualisht bankat e kanë thuajse të pamundur të kreditojnë ndërtimin e rrugëve apo veprave të tjera të mëdha publike për shkak të kufizimeve ligjore. Rregullat e mbikqyrjes imponojnë veçanërisht dy prej tyre. I pari është ai që ponderon me koefiçient risku 100 për qind çdo kredi të dhënë për veprat e infrastrukturës. Ndërsa rregulli i dytë është ai që kufizon ekspozimin e bankave në një projekt apo kredimarrës të madh.

Për të korrigjuar këtë ngërç, i cili praktikisht e bën të pamundur kreditimin e veprave të mëdha, bankat i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë që të ulë nga 100 për qind në 50 për qind koefiçientët e riskut si për kreditimin e veprave me pronësi publike ashtu dhe atë të ekspozimeve të mëdha.

Lëvizja e parë rrit hapësirën e bankave për të përballuar dhënien e kredive të mëdha, pasi zbut efektin e tyre në mjaftueshmërinë e kapitalit, ndërsa masa e dytë dyfishon shumën e kreditimit të një projekti apo klienti të vetëm.

Prej kohësh Shqipëria po përballet më një ngërç në financimin e veprave të mëdha. Një pjesë e ndërtimit të këtyre veprave, qeveria ja ka besuar privatëve, me motivin se i duhet të ulë borxhin publik dhe të çlirojë fondet për të financuar zërat e tjerë të buxhetit. Por privatët e kanë praktikisht të pamundur të sigurojnë kredi në vlera të mëdha për shkak të kufizimeve rregullatore që kanë bankat.

Kjo ka bërë që disa prej këtyre veprave të zvarriten me vite të tëra ose në rastin më të keq të dështojnë siç ishte rasti i rrugës Milot Balldrenë, e cila edhe pse ishte e garantuar me pagesa nga shtetit nuk u arrit të financohej, pikërisht për shkak të kufizimeve rregullatore të bankave.

Editorial