Media gjermane Focus.de ka fshirë dy artikujt për shitjen e koncesionit të terminalit lindor në Portin e Durrësit duke u tërhequr nga akuzat e rënda të ngritura në to si dhe duke i kërkuar falje kompanisë Scapha.
Artikujt me tituj "Drama e portit të Durrësit, largohen investitorët gjermanë" dhe "Drama portuale e Shqipërisë përshkallëzohet, zbulime të reja rreth kompanive kroate guacka dhe lidhjeve të mundshme kriminale" janë fshirë që të dyja nga siti i portalit.
Linku i nje prej artikujve te fshire nga Focus.de
Në këto shkrime portali gjerman, i cili u vu në qendër të vëmendjes edhe në Shqipëri, ngrinte akuza të forta për transaksionin e shitjes së koncesionit të ngarkim-shkarkimit të mallrave rifuxho në portin e Durrësit.
Sipas artikullit, kompania blerëse e koncesionit, kroatja Scapha ishte një kompani guackë, pas të cilës qëndronte një oligark shqiptar. Po kështu Focus.de pretendoi se ky oligark u përpoq të fitonte të drejta ekskluzive për koncesionin edhe në portin e ri që do të ndërtohet në Porto Romano përmes manipulimit të tenderit.
Një tjetër akuzë e rëndë ishte ajo se pronari në letra i Scapha-s, kishte lidhje me trafikun e drogës në Ekuador dhe Kolumbi.
Por pas këtyre publikimeve, avokatët e kompanisë Scapha i kanë dërguar një letër paralajmërimi grupit botues të Focus.de duke i vënë përpara faktet se pretendimet ishin të rreme dhe të pa mbështetura në asnjë bazë. Kjo ka bërë që gjermanët të tërhiqen akuzat duke fshirë të dy shkrimet si dhe u justifikuar se ato ishin publikuar pa dijeninë e redaktorëve.
“Ky tekst është publikuar pa dashje për shkak të një gabimi. Ekipi redaktues i Focus Online nuk ishte në dijeni të tekstit dhe nuk e publikoi atë. Klienti ynë është aktualisht duke hetuar se si ndodhi lëshimi i paautorizuar dhe do të përmirësojë proceset e tij të brendshme sipas nevojës. Klienti ynë shpreh keqardhje për këtë incident," u janë përgjigjur avokatët e Focus.de avokatëve të kompanisë Scapha.
Kapitali kishte publikuar të plotë një prej artikujve të Focus.de në lidhje me Portin e Durrësit. Por pas tërheqjes së tyre nga media gjermane si dhe pas kontaktimit nga avokatët e Scaphas edhe Kapitali vendosi ta fshijë artikullin me titull: Dritëhijet e koncesionarit kroat të Portit të Durrësit dhe lidhjet me Amerikën Latine.