Autoriteti i Konkurrencës i kërkoi Bankës së Shqipërisë që të ndërhyjë për komisionet, që bankat u mbajnë qytetarëve kur ata tërheqin para nga bankomatet. Përmes një vendimi të posaçëm, Komisioni i Konkurrencës i kërkoi BSH që të kontrollojë metodologjinë e përllogaritjes së komisioneve për tërheqje në bankomate, përfshirë komisionet për kartëmbajtësit e huaj dhe aplikimin e ‘mark-up’-it në shërbimin e këmbimit dinamik të valutës.
Ky vendim vjen pas monitorimit që Konkurrenca ka bërë në tregun e shërbimeve bankare në pajisjet ATM, me fokus komisionet e aplikuara nga bankat e nivelit të dytë për tërheqje në bankomate në territorin e Bashkisë Sarandë.
"Nga vlerësimi i të dhënave rezulton se nuk janë konstatuar praktika të kundraligjshme që cenojnë konkurrencën, por është evidentuar një nivel i ulët transparence mbi tarifat; mungesë e harmonizimit për tarifat e aplikuara ndaj kartëmbajtësve të huaj, dhe problematika lidhur me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve," thuhet në vendimin e AK.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë që të ndërmarrë masat e mëposhtme:
-Të kontrollojë metodologjinë e përllogaritjes së komisioneve për tërheqje në bankomate, përfshirë komisionet për kartëmbajtësit e huaj dhe aplikimin e ‘mark-up’-it në shërbimin e këmbimit dinamik të valutës ;
-Të kërkojë raportim periodik dhe publikim të komisioneve në një format të unifikuar, lehtësisht të aksesueshëm nga publiku, si në faqet e bankave ashtu edhe në faqen e Bankës së Shqipërisë;
-Të shqyrtojë nevojën për ndërhyrje rregullatore, bazuar në gjetjet e kontrolleve, në lidhje me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve dhe parandalimin e aplikimit të komisioneve disproporcionale.