
Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në epokën e dividentit demografik negativ. Alarmin e ka lëshuar Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e Tranzicionit. Sipas BERZH, deri në vitin 2023, Shqipëria ka përfituar nga popullsia në moshë të re teksa dividenti demografik si pasojë e shtimit të fuqisë punëtore ka kontribuar në rritjen shtesë të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Por në këtë vit u regjistrua pika e thyerjes dhe tashmë popullsia është shndërruar në faktor frenues të rritjes ekonomike të vendit. Madje duke shërbyer si një pengesë e madhe.
"Skenari bazë parashikon se në për periudhën 2024-2050, kosto e plakjes së popullsisë në GDP llogaritet - 0.23 pikë përqindje në vit. Ndërsa për periudhën 2050-2100 plakja e popullsisë do të ulë rritjen ekonomike të Shqipërisë me 0.53 pikë përqindje në vit" thuhet në raport.

Vleresimet e popullsise ne rritjen ekonomike
Por ky është parashikimi bazë. Situata mund të përkeqësohet nëse vendi do të përballet me rënie të lindshmërisë. Sipas BERZH në skenarin më pesimist plakja e popullsisë mund të ulë rritjen ekonomike të vendit me 1.25 pikë përqindje në vit. Kjo e vendos Shqipërinë në vendin me rekordin më të lartë negativ të plakjes së popullsisë në ekonomitë e BERZH.

Projeksioni dramatik per Shqiperine
Në asnjë ekonomi tjetër, rënia e popullsisë nuk do të ketë kaq efekte të mëdha negative sa në Shqipëri, sipas parashikimeve të BERZH.
"Shtigjet e fertilitetit janë shumë të pasigurta dhe shtigjet e rritjes së parashikuar në afat të gjatë ndryshojnë sipas parashikimeve alternative të fertilitetit," vëren BERZH.
Por plakja dhe tkurrja e popullsisë në moshë pune mund të kenë gjithashtu pasoja më të gjera ekonomike përtej rritjes së PBB-së.
"Për shembull, ndërsa kërkesa më e dobët agregate mund të gjenerojë presion deflacionist, mungesa e fuqisë punëtore, e shkaktuar nga një fuqi punëtore në rënie, mund të rrisë pagat dhe çmimet," thuhet në raport.
Që të zbusë këto efekte të forta negative nga plakja e popullsisë, Shqipëria do ketë nevojë për një fluks migrator neto sa 1 për qind e popullsisë ekzistuese në vit, llogaritet në raportin e trancizionit.