Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin investimet në plaftormën online të quajtur TXEX, pasi sipas tij, kjo është një platformë mashtrimi.
"Kjo platformë, e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta, nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar," deklaroi Autoriteti.
Sipas tij, nga vëzhgimet e AKSK-së dhe nga denoncimet e shumta të bëra publike, konstatohet se aktiviteti i saj mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.
"Platforma TXEX përdor: reklama joshëse dhe të rreme në rrjete sociale (p.sh. Instagram, TikTok); krijimin e grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, ëhatsApp, Signal; prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat; kërkimin e pagesave shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh” dhe mbledhjen e dokumenteve personale (ID, foto), duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale," thuhet në njoftimin e e AKSK.
Autoriteti paralajmëroi qytetarët se përfshirja në këtë platformë sjell: humbje financiare të parikuperueshme; rrezik të lartë për cenimin e privatësisë dhe identitetit digjital dhe mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.
“Qytetarët duhet të kenë parasysh se: asnjë subjekt i palicencuar nuk ka të drejtë të ofrojë shërbime financiare apo investimi në Shqipëri; premtimet për fitime të shpejta dhe të garantuara janë indikator klasik i mashtrimeve online dhe asnjë platformë e ligjshme nuk kërkon pagesa shtesë apo të dhëna personale për tërheqjen e fondeve”, thuhet në njoftim.
“Për të mbrojtur veten dhe të tjerët, AKSK u bën thirrje qytetarëve që të mos kryejnë transaksione financiare me këtë platformë; të mos ndajnë të dhëna personale me subjekte të panjohura dhe të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta”, vijon njoftimi.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thekson se siguria kibernetike është pjesë përbërëse e sigurisë kombëtare, dhe se mbrojtja nga mashtrimet digjitale kërkon kujdes të shtuar, ndërgjegjësim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të qytetarëve me institucionet përgjegjëse.