
Kapitali
Qytetarët shqiptarë do të mund të bëjnë pagesa elektronike me kosto minimale tashmë, njësoj si qytetarët e Bashkimit Europian. Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re, e cila ul deri në 10 herë komisionet që mund të mbajnë bankat private për pagesat elektronike brenda vendit, duke vendosur tavan të detyrueshëm.
Aktualisht janë tre sisteme, ku kalojnë të gjitha pagesat e vendit. Ata janë sistemi AIPS në lekë, i cili kryen pagesat me vlera të larta në lekë. Sistemi i dytë është AIPS euro, që kryen pagesat në euro, ndërsa sistemi i tretë është AECH. Ky kryen pagesat me vlerë të vogël në lekë.
Deri më tani kufiri, që ndante sistemet AIPS dhe AECH ishte 1.5 milionë lekë. Pra një pagesë elektronike deri në 1.5 milionë lekë kryhej përmes sistemit AECH, ndërsa mbi këtë vlerë kalonte automatikisht në sistemin AIPS. Të dy sistemet kishin diferenca të mëdha në komisione.
Një ditë më parë, Banka e Shqipërisë ka vendosur që kufiri i pagesave të ashtuquajtura me vlerë të vogël të rritet nga 1.5 milionë lekë që ishte, në 10 milionë lekë. Ky është ndryshimi i parë i rëndësishëm, që ul ndjeshëm kostot për pagesat elektronike, por jo i vetmi.
Sa ulen komisionet?
Së pari, dyfishohet shuma e përjashtuar nga komisioni. Deri më tani qytetarët shqiptarë mund të kryenin pagesa elektronike deri në 20 mijë lekë, përmes aplikacioneve e-banking të instaluar në telefonat e tyre, pa komision. Me rregulloren e re kjo shumë rriten në 40 mijë lekë. Pra nga sot qytetarët mund të paguajnë edhe këstet e kredisë deri në 40 mijë lekë nga telefoni i tyre, pa paguar asnjë komision.
Së dyti, për pagesat elektronike nga 40 mijë deri në 1.5 milionë lekë, komisioni ulet nga 500 lekë që është aktualisht, në 50-75 lekë.
Së treti, për pagesat elektronike nga 1.5 deri në 10 milionë lekë, komisioni ulet nga 1500 lekë që është aktualisht në 75-500 lekë.
Ndërsa për pagesat më të larta se 10 milionë lekë, komisioni maksimal që mund të mbajnë bankat kufizohet në 750 lekë.

Ndryshimi i komisioneve
Këto ishin pagesat në lekë. Por ulje të ndjeshme do të kenë edhe komisionet për pagesat elektronike në euro, gjithmonë brenda vendit.
Më konkretisht, për pagesat në euro komisioni ulet nga 0.1 për qind e vlerës në 0.01 për qind e vlerës. Kështu, nëse për të transferuar 50 mijë euro nga një bankë private shqiptare tek një tjetër bankë private shqiptare deri më tani paguhej 50 euro komision, me rregulloren e re banka nuk mund të mbajë më shumë se 5 euro komision.
Rregullorja e miratuar një ditë më parë nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, ul komisionet edhe për pagesat që qytetarët bëjnë fizikisht në degët e bankave. Kështu për pagesat në euro, ato ulen nga 0.2 për qind e vlerës në 0.02 për qind e vlerës. Ndërsa për pagesat me vlerë deri në 10 milionë lekë, komisionet ulen nga 1500 lekë në 500-1000 lekë.
Ndonëse këto sisteme pagesash funksionojnë vetëm brenda vendit, anëtarsimi i Shqipërisë në Sepa, i bën ato automatikisht të detyrueshme edhe për pagesat ndërkufitare. Pra, qytetarët shqiptarë do të paguajnë të njëjtat komisione të ulura edhe për transfertat apo pagesat jashtë.
Vendimi i një dite më parë nuk prek pagesat, që kryhen përmes kartave. Për komisionet e pagesave me kartë, BSH pritet të miratojë një tjetër ndërhyrje brenda muajve në vijim.