Lajme nga vendi

BE mohon ndërprerjen e fondeve për axhendën dixhitale

BE mohon ndërprerjen e fondeve për axhendën dixhitale

Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë iu deshën gati tre ditë për t'i dhënë një përgjigje shumë të shkurtër interesimit të Kapitalit për çështjen e fondeve të axhendës dixhitale. Këto më poshtë ishin pyetjet që Kapitali i dërgoi zyrës së delegacionit;

1- A ka marrë BE ndonjë masë për fondet e dedikuara për Shqipërinë për axhendën dixhitale pas arrestimeve në AKSHI?
2- Nëse po, ç'masë eshtë marrë? Ngrirje, ndërprerje apo pezullim i fondeve pa afat?
3- A i është komunikuar ky vendim qeverisë shqiptare?
4- Nëse është marrë një masë e tillë kur mund të lirohen sërish fondet?

Ndërsa kjo që vijon është përgjigja e zyrës së Delegacionit të BE-së e mbërritur këtë të premte.

'Nuk ka pasur asnjë vendim të marrë nga Komisioni për ndërprerjen e fondeve. Në këtë fazë nuk kemi informacione të tjera që mund të ndajmë me ju.'

Kapitali po e publikon të plotë përgjigjen gjysmake të Zyrës së Delegacionit, e cila mohon vetëm ndërprerjen, por nuk i përgjigjet pyetjes për ngrirjen e fondeve duke u mjaftuar me përgjigjen se "nuk kemi informacione të tjera, që mund të ndajmë me ju."

Megjithatë Kapitali do të publikojë me interes maksimal çdo disbursim fondesh për axhendën dixhitale, që BE do të bëjë për llogari të qeverisë shqiptare në tre muajt e ardhshëm. Qoftë edhe një qindarkë të euros.

Editorial