Qeveria shqiptare do të shpenzojë 179.6 miliardë lekë ose mbi 1.85 miliardë euro vitin e ardhshëm për investime publike. Tabelat e buxhetit tregojnë se investimet publike pritet të shënojnë vitin e ardhshëm rekordin më të lartë të të gjitha kohërave në vlerë, por edhe një nga nivelet më të larta historike në peshë relative ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas draftit të buxhetit, investimet publike për vitin që vjen do të jenë sa 6.5 për qind e PBB-së, nga të cilat 4.6 për qind janë me financim të brendshëm, ndërsa pjesa tjetër janë projekte me financim të huaj.
Por cilat janë projektet që marrin copën e luanit në fondin e investimeve të parashikuar për vitin e ardhshëm?
Sipas tabelave të detajuara, 53 milionë do të shkojnë për të paguar kontratat koncesionare të ndërtimit të rrugëve. Këtu përfshihen pagesat për ndërtimin e rrugës së Arbrit, asaj Orikum-Dukat si dhe subvencioni i rrugës Milot-Morinë.
Në pjesën e investimeve të drejtëpërdrejta nga buxheti, llokma më e madhe shkon për rrugën Elbasan-Lekaj, e cila do të marrë rreth 45 milionë euro. Projekti i dytë me financimin më të madh është zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë, që merr mbi 30 milionë euro.
Kashar Vaqarr merr 20 milionë euro, po aq sa zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës.
Ndërkohë, ujësjellësat marri rreth 120 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e investimeve shpërndahet në të gjitha ministritë dhe agjencitë e tjera.