Lajme nga vendi

Kaosi në aksin Librazhd – Qafë Thanë/ Paralizohet qarkullimi! Fadromat e “ANK” rëndojnë situatën

Kaosi në aksin Librazhd – Qafë Thanë/ Paralizohet

Qarkullimi në një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme që lidh Librazhdin me juglindjen e vendit u ndërpre paraditen e kësaj të diele për shkak të rrëshqitjes masive të dheut, gurëve dhe shkëmbinjve.

Ngjarja ndodhi në zonën e quajtur Dragostunjë, ku një masiv i madh shkëmbor ra nga mali, duke zënë të gjithë gjerësinë e akseve dhe bllokuar të dyja drejtimet e trafikimit.

Bllokimi i aksit paralizoi qarkullimi duke bllokuar automjetet edhe një auto-ambulancë që po dërgonte një grua me këmbë të thyer drejt Spitalit të Elbasanit.

Stafi mjekësor u detyrua ta nxirrte pacienten nga ambulanca dhe ta kalonte përmes lumit pranë rrugës në një barrelë, për të vazhduar transportimin e saj për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë dhjetëra qytetarë që kanë mbetur të bllokuar në mes të rrugës kanë shprehur shqetësimin e tyre për ngjarjen.

Ata kanë deklaruar se kanë mbetur me orë të tëra të bllokuar, ndërkohë që askush nuk u ka dhënë asnjë informacion se kur mund të lirohet aksi.

“Kemi një orë e gjysmë që presim. Vijmë nga Tirana, po shkojmë për Maqedoni. S’na kanë dhënë asnjë informacion, nuk e dimë çdo bëhet. Ishalla po hapet rruga të ikim në familjen tonë.”

“Pesë orë kemi që presim, jemi të sëmurë. Askush nuk na ka informuar. Jemi të sëmurë dhe po presim, ç’të bëjmë”. 100 metra larg isha kur u shemb mali”.

Dy orë kemi që presim, besojmë që do e hapin rrugën”-shprehen disa prej tyre.

Ndërkohë, rruga e bllokuar është pjesë e një projekti më të gjerë të zgjerimit dhe rehabilitimit të aksit Librazhd–Qafë Thanë, projekt që synon përmirësimin e lidhshmërisë dhe sigurisë së trafikut në këtë korridor strategjik.

Punimet e këtij projekti kryhen nga kompania A.N.K. SHPK, e cila ka historik në projekte infrastrukturore në Shqipëri dhe ka fituar tenderë publikë për faza të ndryshme të rrugës. Kompania ka lidhje me biznesmenin Ndue Kola, ndërsa pronësia aktuale është në duart e vëllait të tij, Agim Kola. Tenderi për fazën e fundit të zgjerimit të rrugës është shpallur me një fond limit prej rreth 29 milionë eurosh, përfshirë TVSH-në.

Ndëkohë sipas raportimeve, pikërisht kompania A.N.K konsiderohet shkaktare direkte e bllokimit, pasi thuhet se kjo e fundit po punon për ndërtimin e segmentit rrugor, pjesë e Korridorit Tetë, dhe ka nisur punimet për shembjen e pjesës së rrezikshme në zonën e njohur si Kthesat e Dragostunjës.

Ndërhyrja e fadromave të ANK ka nisur hedhjen në rrugë të masivëve të gurëve e dherave, ndërsa aksi drejt juglindjes mbetet i bllokuar për shkak të shembjes së sotme.

Aksi vijon të jetë i bllokuar, ndërsa banorët e zonës dhe shoferët kanë kritikuar neglizhencën e kompanisë dhe paralajmërojnë se situata mund të vazhdojë për shumë orë, duke vënë në rrezik qarkullimin në këtë aks.

Boldnews

Editorial