Çmimi i naftës u rrit sërish këtë të enjte duke arritur deri në 215 lekë për litër. Por pavarësisht kësaj, qeveria përsëriti qëndrimin se nuk ka ndër mend të ulë asnjë taksë nga barra rekord që ka vendosur mbi karburantet. E vetmja e re këtë herë ishte kërcënimi i tregtarëve me bord nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
"Jemi duke ndjekur në mënyrë dinamike tregun e karburanteve, çfarë po ndodh edhe në rajon, ka modele të ndryshme, s’kemi vendimmarrje për Bordin. Ky bord, është aty dhe mund të krijohet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Mekanizmi është aty, mund të ngrihet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Kemi vlerësuar se me mesazhet përmes grupit të interesit, ta kuptojnë vetë rëndësinë. Është aty, mund të ngrihet shumë shpejt”.
Sipas Ministrit, Shqipëria nuk do të ketë probleme me furnizimin me naftë në Shqipëri për shkak të Ngushticës së Hormuzit.
“Ne po e shikojmë në dinamikë, sepse produkti sot ka dy elemente që shikohet në kohën e krizës. E para a ka mungesë në treg dhe nga informacionet që kemi ne, Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem furnizimi, sepse mbi 90 për qind e furnizimit, vjen nga rrugë të tjera," tha kreu i Energjetikës.