Operatori i Shpërndarjes së Energjisë thotë se një kategori e madhe biznesesh, kryesisht në Tiranë, përfitojnë padrejtësisht tarifë të ulët të energjisë elektrike për shkak se faturohen si familjarë. Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHEE, është duke zhvilluar një fushatë kontrollesh për të identifikuar këto biznese, të cilat ndonëse zhvillojnë aktivitet komercial, janë të regjistruar si konsumatorë familjarë.
Administratori i FSHU, Algert Luzi thotë se është vënë re se një numër i madh apartamentesh të reja shërbejnë si zyra për noteri, kontabilitet, klinika dentare dhe biznese estetike. Ky fenomen lidhet me regjistrimet e vjetra dhe mungesën e përditësimeve të kontratave, ndërsa objektet përdoren për qëllime ekonomike.
Për këtë arsye, FSHU ka nisur një proces verifikimi dhe u bën thirrje të gjitha bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe individëve që ushtrojnë aktivitet tregtar të kontrollojnë dhe përditësojnë kategorinë e kontratës së tyre. Në rast të konstatimit të shkeljeve nga këto biznese, do të aplikohen penalitete. Abonentët familjarë që konsumojnë mbi 700 kwh tarifohen me 9.5 lekë/kwh, ndërsa bizneset me 14 lekë/kwh.
Pas konstatimeve, tarifimi do të ndryshojë, dhe nëse shkeljet përsëriten, do të merren masa ndëshkuese.