Qytetarët shqiptarë do të sigurojnë me detyrim banesat e tyre për tërmetin tek një kompani publike në pronësi të ministrisë së Financave. Kompania e cila do të ketë formën e shoqërisë aksionare do të quhet Fondi për Tërmetet.
Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin, i cili e bën të detyrueshëm sigurimin e çdo banese. Sipas draftit, qeveria do të caktojë me vendim të posaçëm se sa do të jetë shuma e sigurimit që paguan kompania shtetërore në rast dëmtimi të banesës nga tërmeti.

Ndërsa primi vjetor që do të paguajnë familjet për të siguruar banesat e tyre do të caktohet nga vet Fondi për Tërmetit sipas një metodologjie të caktuar dhe me pëlqimin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.
"Ky ligj synon të krijojë një mekanizëm ligjor dhe financiar për mbulimin e humbjeve që mund t’i pësohen pronarëve të banesave nga dëmet e shkaktuara nga tërmetet, duke garantuar kompensimin e shpejtë dhe efikas të tyre," thuhet në relacionin bashkëngjitur projektligjit.
Sipas ministrisë së Financave, modeli i sigurimit të detyrueshëm është frymëzuar nga praktikat e suksesshme ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet si Turqia dhe Rumania, të cilat kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm koston fiskale dhe ekonomike që shkaktojnë katastrofat natyrore.