Lajme nga vendi

Terna emeton bond 500 mln euro për të financuar TEC-in e Roskovecit

Terna emeton bond 500 mln euro për të financuar TEC-in e Roskovecit

Kompania greke e energjisë, GEK Terna mori 500 milionë euro borxh përmes emetimit të një eurobondi të pasiguruar për të financuar projektet e investimeve, që ka në proces, përfshirë termocentralin e Roskovecit. Lajmi u bë i ditur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila përmes një njoftimi zyrtar deklaroi se investoi 50 milionë euro në obligacionin e lëshuar nga GEK TERNA S.A.

Obligacioni është me afat shtatëvjeçar dhe do të listohet në Bursën e Athinës. Paratë do të përdoren për të mbështetur projektet e GEK TERNA në prodhimin e energjisë së rinovueshme, sistemet e ruajtjes së baterive, infrastrukturën sociale dhe furnizimin me ujë dhe ujërat e zeza në të gjithë Greqinë, Rumaninë, Shqipërinë dhe Kosovën.

Terna emeton bond 500 mln euro për të financuar TEC-in e Roskovecit

Njoftimi i BERZH

Të ardhurat e përgjithshme të obligacionit do të përdoren për të financuar aktivitetet e biznesit të emetuesit, duke përfshirë sektorët e infrastrukturës dhe energjisë, dhe për të rifinancuar borxhin e emetuesit dhe degëve të tij si dhe për të financuar kostot e emetimit të obligacionit.

Në Shqipëri grupi grek Terna ka vetëm një projekt investimi, atë të termocentralit të Fierit. Ky termocentral do të ketë një fuqi të instaluar prej 170 megash dhe parashikohet të kushtojë rreth 150 milionë euro.

TEC-i
Në fund të vitit të kaluar, qeveria shqiptare miratoi ndërtimin e TEC-it me fuqi të instaluar 170 mega në Roskovec të Fierit duke i dhënë dritën jeshile projektit që do të prodhojë energji me gaz.

Me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e ndërtimit të termocentralit dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Roskovec, Qarku Fier, nga shoqëria “FIER THERMOELECTRIC”.

Kjo shoqëri zotërohet në masën 35 për qind nga kompania greke Depa Commercial, po 35 për qind nga grekja tjetër Gek Terna si dhe 30 për qind nga kompania shqiptare Gener 2.

Në vendim, qeveria saktësoi se koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.

Kompania private do të ketë të drejtë të shfrytëzojë termocentralin për 49 vjet, ndërkohë që energjia e prodhuar prej tij nuk blihet nga shteti, por do të shitet në tregun e lirë. Shteti përfiton 2 për qind të sasisë vjetore të energjisë së prodhuar nga termocentrali ose ekuivalentin e saj në lekë në formën e rentës.

 

Editorial