Familjarët e ish-zv.drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Informacionit, Daniel Shima, kanë denoncuar sot në polici zhdukjen e tij.
Lajmi bëhet me dije për MCN nga burime policore, që raportojnë se kontaktet e familjarëve me Shimën kanë humbur që prej paradites së sotme.
Sipas familjarëve, Shima u ka dërguar një mesazh të afërmve, duke i njoftuar se po e arrestonin, por pas këtij momenti, komunikimi me të është ndërprerë.
Më herët, Shima është thirrur për t’u pyetur në SPAK në lidhje me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ndërkohë, sipas News 24, policia po kryen sekuestrimin e kamerave të sigurisë në zonën ku dyshohet se ndodhej Shima, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Daniel Shima ka mbajtur për disa kohë postin e nëndrejtorit të AKSHI-t, detyrë nga e cila është larguar në vitin 2024, një akt që u komentua në media të ndryshme se lidhet me procedura hetimore për prokurimet e AKSHI-t.
Në korrik të vitit 2024, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, deklaroi në një intervistë se Daniel Shima ishte kërcënuar, por pa specifikuar se për çfarë.
Daniel Shima figuron edhe si aksioner në disa kompani.