Për shkak të përhapjes së sëmundjes virale PPR në disa rajone të Shqipërisë, qeveria e Shkupit dhe ajo e Prishtinës kanë vendosur të ndalojnë importin e bagëtive nga Shqipëria.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovës (AUV) ka zgjeruar masën ndaluese për importin e deleve dhe dhive, duke përfshirë të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky vendim vjen pas përhapjes së sëmundjes së bagëtive të imta (PPR) në disa rajone.
AUV ka udhëzuar komunat që të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes së bagëtive në kullosat e brezit kufitar me Shqipërinë, ndërsa fermerët që t’i mbajnë bagëtitë nën mbikëqyrje dhe të pengojnë çfarëdo kontakti të kopeve të tyre me ato nga Shqipëria.
“Nga sot masa e ndaleses vlen për gjithë territorin e Shqipërisë. Pas rivlerësimit të situatës, lajmërimeve për konfirmime të rasteve të sëmundjes PPR edhe në regjione tjera, AUV ngrit masën kufizuese për tërë territorin e Shqipërisë”, ka njoftuar AUV.
Një ditë më parë edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut ndërmorri të njëjtën masë duke ndaluar importin e kafshëve nga Shqipëria. PPR është një sëmundje virale ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë, por nuk transmetohet tek njerëzit, sipas AUV. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet.