
Ditën që kryeministri Edi Rama çuditi botën kur tha se Shqipëria është përpara Gjermanisë dhe Suedisë sa i takon ndershmërisë dhe konkurrencës në tenderat publikë, institucionet nën varësinë e tij kanë nxjerrë nga repertori një farsë monumentale, e cila është njëkohësisht tragjedi, por edhe komedi.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvilloi një tender me vlerë 359 milionë lekë ose 3.7 milionë euro për blerjen e automjeteve për Policinë e Shtetit.

Sipas dokumentave, përmes këtij tenderi OBP do të blejë 76 automjete SUV për forcat e policisë, nga të cilat 20 automjete 4x4 dhe 56 automjete të tjera 2x4.
Këto në foton më poshtë janë specifikimet teknike të vendosura për 20 automjetet 4x4.

Specifikimet per automjetet
Për dikë që nuk ka njohuri për industrinë automotive, përmesat e vendosura në dokumentat e tenderit ngjajnë thjesht disa numra të zakonshëm.
Por këto përmasa plotësohen vetëm nga lloj automjeti. Ai është Land Rover Defender, automjeti i cili në Shqipëri tregtohet ekskluzivisht nga kompania e familjes së kryebashkiakes së Durrësit, Emirjana Sako.
Dhe meqë kryeministri e ka shumë qejf inteligjencën artificiale, kjo është përgjigja e saj kur pyet se cila nga Suv-et i plotëson kriteret e vendosura në tenderin për automjetet e policisë së shtetit.

Pergjigja e IA se cila suv i ploteson kriteret
"Land Rover Defender 110 (D300/D350 Diesel) është modeli që përmbush kërkesat për lartësi, gjerësi, distancë nga aksi i rrotave, lartësi nga toka dhe efikasitet të karburantit, ndërsa gjatësia e tij (4,758 mm) është brenda maksimumit tuaj prej 5,050 mm," thotë inteligjenca për kriteret e vendosura në tenderin e një vendi që sipas kryeministrit ja kalon Gjermanisë dhe Suedisë për ndërshmëri.
Qepja e kostumit slim fit në tenderin për automjetet e policisë së shtetit është aq flagrante saqë distanca mes akseve kërkohet minimalisht 3000 mm, kurse gjatësia totale e mjetit kërkohet maksimalisht 5050 mm.
Nuk dihet nëse specifikimet teknike të tenderit i ka hartuar vetë policia e shtetit apo Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Por ky kostum është një vepër penale në flagrancë se si hajdutët e Rilindjes vjedhin tenderat.
Tani mjafton vetëm që prokuroria të sekuestrojë dokumentat e tenderit dhe të çojë autorët para ligjit.