Në dy shkurt të vitit 2022, në zyrat e Albpetrol u mbajt mbledhja e Komitetit Këshillimor për të diskutuar programin e punës dhe buxhetin e kompanisë Delvina Gas Company.
Në dokumentin që iu vu përpara drejtuesve të Albpetrol kompania Delvina Gas kishte përcaktuar 8 investime të reja për vitin 2022. Në mes të tyre, me numër 4 ishte "projektimi, prokurimi dhe instalimi i impjantit per pastrimin e gazin nga H2S dhe pergatitjen e tij per shitje."

Pas përfundimit të prezantimit dhe diskutimeve, Komiteti Këshillimor miratoi planin e punës dhe buxhetin e vitit 2022. Dokumenti u firmos nga tre përfaqësues të kompanisë koncesionare dhe dy drejtues të Albpetrol, në cilësinë e pronarit të vendburimit.
Ata ishin Arqile Piperi, Drejtor i Drejtorisë të Gjeologjisë në Albpetrol dhe Ilir Kripa. Ky i fundit përveçse drejtues në Albpetrol, mbante dhe postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Patosit si përfaqësues i Partisë Socialiste. Ky është dokumenti i firmosur.

Kaluan tre vjet dhe qeveria u kujtua se impianti paska qenë TEC pa leje, edhe pse e kishte miratuar vet. Një ditë më parë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, drejtori i Krimit Ekonomik të Vlorës dhe Operacionalja me 8 fugona zbarkuan në vendburimin e gazit të Delvinës për të arrestuar dy inxhinierë, të cilët mirëmbanin një impiant pastrimi.
Madje, njëri prej tyre patronazhist, të cilin pasi e përdorën mirë në zgjedhje, i futën edhe një të arrestuar.

Ndonëse versioni i TEC-it u hodh menjëherë poshtë nga prokuroria, e cila urdhëroi lirimin urgjent të dy inxhinierëve të arrestuar, kjo çështje ngre një shqetësim të madh. A po përdoret policia e shtetit si trupë inkuizicioni për të goditur biznese apo qytetarë sipas orkesit të zyrtarëve?

Ky në foton më sipër është pusi Delvina 12. Punimet për shpimin e pusit kanë filluar në vitet 84. Pronari i pusit është Albpetrol.
Nga viti 2007 vendburimi është dhënë me koncension dhe koncesionari kryen aktivitet në këtë pus, në prezencë dhe nën mbikqyrjen e pronarit Albpetrol, duke zbatuar programin e punes që miraton çdo vit albpetrol, ministri i Energjisë dhe AKBN.
Pyetja që shtrohet është, nëse impianti është TEC ashtu sikurse pretendonte policia, kush është pronari i TEC-it? Rrjedhimisht kush duhet të jetë në kerkim policor; Albpetroli, Ministria apo AKBN?
Pra shteti akuzon koncesionarin për ndërtim pa leje në territor shtetëror dhe pronari shtet çon në burg koncesionarin për zaptim të pronës shtetërore. Kjo është një komedi e madhe. Ose thjesht terror policor për orekse.