Nuk kanë fund bëmat e “Air Albania”. Teksa kompania ka marrë tatëpjetën, ata që po e pësojnë janë qytetarët. Dje u bë me dije se prej dy ditësh janë bllokuar fluturimet, ndërkohë që kompania vazhdon të shesë bileta. Por sipas burimeve të Pamfletit, ka një javë që “Air Albania” vetëm ndryshon oraret e fluturimeve dhe bën anulime të njëpasnjëshme. Qytetarët ankohen se po lihen rrugëve, pa asnjë përgjigje zyrtare.
Edhe pse në realitet avionët nuk ngrihen, në faqen zyrtare të “Air Albania” vazhdojnë të shiten bileta, sidomos për linjën Tiranë–Stamboll.
Prapa këtij kolapsi është një histori që ngjan më shumë me një thriller ekonomik-politik sesa me një projekt ajror. Ortaku kryesor, Sinan Idrizi, është kallëzuar penalisht në SPAK nga kompania amerikane GA Telesis, për shkelje kontrate, mashtrim dhe mbajtje të paligjshme të avionëve. Sipas kallëzimit, “Air Albania” ka përdorur dy avionë A320, edhe pse kontrata ishte ndërprerë dhe pagesat nuk ishin bërë. Avionët janë parkuar fshehurazi në Stamboll, për të shmangur sekuestrimin.
Ndërkohë, një tjetër kompani partnere, SkyUp nga Ukraina, ka tërhequr mjetet fluturuese për mosrespektim të marrëveshjes, duke lënë kompaninë shqiptare pa flotë aktive. Madje, vetëm një avion i huazuar nga “Fly2Sky” ka bërë ndonjë fluturim sporadik drejt Stambollit. As logo, as flamur; vetëm mbijetesë teknike në ajër.
Por kjo nuk është historia e një kompanie që dështoi për arsye tregu. Kjo është historia e një skeme të ndërtuar mbi marrëveshje politike, kompanie fantazmë dhe abuzim me fondet publike. Aksioneri kryesor, MDN Investment, nuk ekzistonte në QKB disa ditë para krijimit të “Air Albania”. Partneriteti u shpall pa tender, pa garë dhe pa transparencë – një marrëveshje që sipas opozitës së kohës, u dhurua me urdhër politik.
Shteti shqiptar ka vetëm 10% të aksioneve. Pjesa tjetër i takon Turkish Airlines dhe firmës shqiptare me kapital vetëm 800 euro. Në prapaskenë, gjithçka është ndërtuar për të krijuar fasadën e një linje kombëtare, ndërkohë që kontrolli financiar dhe përfitimet ishin në duart e privatëve.
“Air Albania” nuk ka dorëzuar asnjë bilanc zyrtar. Nuk dihet sa para ka fituar, sa ka humbur, dhe sa janë borxhet e saj. Por një gjë është e qartë: sot, pas 7 ditësh pa asnjë fluturim, me avionë të bllokuar, me kallëzime në SPAK dhe me punonjës të lënë rrugëve, kjo kompani është praktikisht e falimentuar.
Qytetarët kanë paguar bileta që nuk u kthyen kurrë. Pilotët dhe stjuardesat raportojnë për paga të prapambetura. Dhe qeveria? Nuk thotë asnjë fjalë. Heshtja e saj është po aq kriminale sa skemat që u përdorën për ta ngritur këtë linjë ajrore mafioze.
“Air Albania” nuk është vetëm një kompani që nuk fluturon më. Është një shembull brutal se si korrupsioni, klientelizmi dhe propaganda mund të ngrihen në ajër, por bien me zhurmë të madhe në tokë.