Lajme nga vendi

Vasil Naçi blen Mako-Market në Maqedoninë e Veriut

Vasil Naçi blen Mako-Market në Maqedoninë e Veriut

Biznesmeni shqiptar Vasil Naçi ka blerë një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe tregtimt të mallrave të konsumit në Maqedoninë e Veriut. Autoriteti i Konkurrencës në Maqedoninë e Veriut njoftoi se kompania shqiptare AGNA ka paraqitur pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës (KMK) kërkesën për të marrë kontroll të vetëm mbi distributorin Mako-Market DOO Shkup.

Autoriteti njoftoi se aplikimi është dorëzuar katër ditë më parë, ndërsa procedura e shqyrtimit është në zhvillim. Agna, me pronarë përfitues Vasil Naçi, Kristo Naçi dhe Kosta Sotiri, është një nga kompanitë më të mëdha të tregtisë me shumicë dhe distribucionit të produkteve të konsumit në Shqipëri, duke operuar në import-eksport, prodhim pijesh, logjistikë dhe projekte ndërtimore.

Vasil Naçi blen Mako-Market në Maqedoninë e Veriut

Njoftimi i Autoritetit te Konkurrences te MV

Agna është prezente në Maqedoninë e Veriut përmes filialit AGNA Investment DOOEL Shkup, i angazhuar në administrimin e pasurive të paluajtshme, si dhe përmes AGNA International DOOEL, aktiv në sektorin e ndërtimit.

Mako-Market, kompania që pritet të merret nën kontroll, operon në tregtinë me shumicë të produkteve ushqimore, pijeve, higjienës personale dhe produkteve të pastrimit. Ajo zotëron kapacitete prodhuese për artikuj ëmbëlsira dhe kokoshka dhe ka një rrjet të gjerë logjistik me flotë të vetën transporti, duke mbuluar gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas KMK, pjesa dërrmuese e të ardhurave të Mako-Market gjenerohet në tregun vendas, me një pjesë të kufizuar nga eksporti.

Rregullatori maqedonas pritet të vlerësojë nëse transaksioni mund të ndikojë në konkurrencën në tregun e produkteve të konsumit të gjerë përpara se të marrë vendimin përfundimtar.

 

Editorial