Lajme nga vendi

NAREA kërkon uljen e taksës së rivlerësimit për banesat e qytetarëve në 3 për qind

NAREA kërkon uljen e taksës së rivlerësimit për banesat

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme kërkoi uljen e taksës së rivlerësimit për banesat e qytetarëve nga 5 për qind në 3 për qind. Gjatë diskutimit të paketës fiskale në Komisionin për Ekonominë, Reinaldo Pipiria, kërkoi edhe zgjatjen e afatit të zbatimit të ligjit, veçanërisht për banesat e individëve, duke theksuar se kapacitetet aktuale nuk e përballojnë fluksin e pritshëm.

“Ka afro 250 mijë pasuri të paluajtshme që presin rivlerësim që prej vitit 2011. Vetëm banesat që kanë nevojë për rivlerësim llogariten rreth 500 mijë. Kapacitetet e ASHK-së janë 30–33 mijë aplikime në vit, prandaj 12 muaj janë të pamjaftueshme. Pjesa më e madhe e aplikuesve janë nga diaspora”, tha Pipiria.

Ai kritikoi faktin që individët dhe bizneset trajtohen njësoj, ndonëse fuqitë financiare janë të ndryshme. “Biznesi e përfshin taksën 5% si shpenzim të zbritshëm, ndërsa qytetari detyrohet ta paguajë menjëherë. Kjo çon drejt bllokimit të pronave të qytetarëve. Për banesat, ne kërkojmë që taksa të jetë 3%.”

Shoqata kërkoi gjithashtu që në proces të përfshihen edhe pronat në legalizim, rreth 1.2 milion asete, të cilat ishin parashikuar në draftin e parë, por u hoqën në versionin final.

 

Editorial