Lajme nga vendi

Bankat duan monopolin e pagesave/ Kërkojnë uljen me 10 herë të kufirit për pagesat cash të individëve

Bankat duan monopolin e pagesave/ Kërkojnë uljen me 10 herë

Shoqata Shqiptare e Bankave i kërkoi Parlamentit që të ulë kufirin e pagesave cash nga individët në 500 euro. Në paketën e re fiskale qeveria ka parashikuar që kufiri i pagesave cash për individët të jetë deri në 500 mijë lekë dhe mbi këtë shumë, transaksionet duhet të procesohen në rrugë bankare.

Por Shoqata e Bankave thotë se ky kufi është shumë i lartë.

"Vendosja për individët e një tavani në shumën 500 mijë lekë është jashtë çdo analize dhe eksperience. Vendet e rajonit, si Greqia, Maqedonia e Veriut e kanë limitin 500 euro dhe e kanë njësoj, si për bizneset, ashtu edhe për individin," tha sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë.

Sipas tij, nuk ka asnjë kuptim që të vendoset një limit prej 500 mijë lekësh për individin, kur paga mesatare është rreth 90 mijë lekë dhe ndërkohë që kufiri për biznesin parashikohet në 100 mijë lekë.

"Propozimi ynë është që tavani për veprimet në cash të jetë diku te 50-60 mijë lekë. Nuk e kuptoj cili është argumenti për një tavan prej 500 mijë lekësh," tha Brumbulli para deputetëve.

Paketa fiskale e vitit 2026 vendos për herë të parë një kufi për pagesat në para fizike të individëve. Ky kufi është përcaktuar 500 mijë lekë, ndërkohë që për biznesin kufiri i pagesave cash është propozuar të ulet në 100 mijë lekë nga 150 mijë lekë që ka qenë deri më tani.

 

Editorial