
Rrjeti amerikan Newsmax, i afërt me presidentin Donald Trump, do të hapë media në Shqipëri përmes Serbisë. Kapitali ka mësuar se Arena News Channels Two shpk, e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit një javë më parë, është entiteti tregtar pas Newsmax Balkans, franshizës së rrjetit amerikan për Ballkanin.
Pronari fundor i Arena News Channels Two, që u regjistrua në Tiranë një javë më parë, është Telekom Serbia. Në prill të vitit 2023, Telekom Serbia njoftoi se kishte arritur marrëveshjen për të marrë franshizën e rrjetit Newsmax për Europën Lindore.
"Telecom Serbia është krenare që Neësmax na ka zgjedhur si një partner të besueshëm për të transmetuar përmbajtjen e saj dhe për të zgjeruar praninë e saj në Evropë", tha atëherë, Drejtori Ekzekutiv i Telecom Serbia, Vladimir Lucic. "Pas Bloomberg dhe Euronews, Newsmax është tani partneriteti i tretë i tillë për Telecom Serbia, i cili kërkon të sjellë mbulim të saktë dhe të besueshëm lajmesh në Serbi dhe rajon nga partnerë të rëndësishëm serbë si Shtetet e Bashkuara. Telecom Serbia do të sigurojë që transmetimet e saj të lajmeve në të gjithë Evropën Juglindore të jenë të cilësisë më të lartë dhe në përputhje me markën e Neësmax në Shtetet e Bashkuara."
Christopher Ruddy, Drejtor Ekzekutiv i Newsmax Media, Inc., tha se Newsmax ishte i emocionuar për partneritetin e saj me Telecom Serbia, i cili është bërë një lojtar mbresëlënës në tregje të shumta evropiane.
Ruddy shtoi: “Newsmax e pa këtë marrëveshje si një mundësi për t'u bashkuar me një lider të respektuar në multimedia, Telecom Serbia, por edhe për të forcuar lidhjet e Amerikës me popullin e Serbisë dhe të Ballkanit. Shtetet e Bashkuara dhe Serbia ishin aleatë në të dy Luftërat Botërore, ndajnë një dëshirë të përbashkët për të kapërcyer trashëgiminë shkatërruese të komunizmit në Evropën Lindore dhe të dyja vazhdojnë të mbështesin shoqëritë demokratike. Ne besojmë se miliona amerikanë, serbë dhe të tjerë do të na shohin si një burim të rëndësishëm informacioni të cilit mund t'i besojnë.”

Në shtator të këtij viti, Newsmax Balkans shpalli thirrjen për rekrutimin e stafit në Tiranë. Ndërkohë burime të pakonfirmuara thonë se në projektin e sjelljes së Newsmax në Shqipëri është i përfshirë edhe Richard Grenell, ndërkohë që një nga drejtuesit e parë të rekrutuar është Elert Yzeiri, ish drejtori i A2 Cnn.
Ardhja e rrjetit të njohur mediatik amerikan në Shqipëri, përmes Serbisë, ka krijuar jo pak habi. Disa nga drejtuesit e Newsmax Balkans në Serbi janë njerëz, të cilët kanë qenë figura kyçe në propagandën mediatike të ish kasapit famëkeq të Ballkanit, Sllobodan Milosheviç.
Newsmax Media, Inc. operon Newsmax, një nga mediat kryesore të vendit. Kanali Newsmax transmetohet në të gjitha sistemet kryesore kabllore dhe satelitore. Pronat mediatike të Newsmax arrijnë më shumë se 40 milionë amerikanë rregullisht përmes Newsmax TV, Newsmax App, faqes së saj të internetit të njohur Newsmax.com dhe botimeve si Newsmax Magazine. Forbes e ka quajtur Neesmax "një fuqi lajmesh".
Kjo media ka një politikë editoriale shumë të afërt me linjën e presidentit Donald Trump, duke u cilësuar si një nga mediumet kryesore të konservatorëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.