
Goditja e organizatës kriminale brenda AKSHI-t dhe sekuestrimi i 40 milionë eurove pasuri nga SPAK përbën një nga aksionet më të bujshme dhe pozitive të SPAK. Çmontimi i kënetes AKSHI, që kryeministri e cilësonte si krenaria dixhitale, ndalon të paktën përkohësisht gjakderdhjen e tmerrshme financiare, që ky institucion u ka shkaktuar qytetarëve shqiptarë.
Por hetimi dhe materialet e paraqitura nga SPAK në gjykatë një ditë më parë, lënë disa pyetje kyçe pa përgjigje. Në qendër të tyre, qëndron një tender 17 milionë euro për laboratorët smart në 216 shkolla të vendit.
Ky tender është arsyeja që e detyroi SPAK-un të vendosë nën akuzë kontraktorin e vet kryesor për shërbimet e teknologjisë së informacionit, kompaninë Albascan. Dhënia e tenderave për një kompani që ishte pjesë e organizatës kriminale në AKSHI ishte një autogol për vetë SPAK-un, aq më tëpër që Prokuroria e Posaçme i kishte indiciet publike që Albascan ishte e bërë pis nga korrupsioni.

Megjithatë kjo është një çështje tjetër. Tani të rikthehemi tek thelbi. Çfarë është tenderi i laboratorëve smart në shkolla?
Tenderi më fond limit 1.67 miliardë lekë parashikonte pajisjen e 216 shkollave nëpër Shqipëri me klasa laboratoresh, të cilat do të kishin respektivisht nga 14, 17 ose 19 laptopë secila si dhe internet wireless. Mesatarisht 80 mijë euro për një klasë laboratori ose 4700 euro për një laptop së bashku me pajisjes ndihmëse. Shifrat e tregojnë qartë gjakderdhjen. (Lexo këtu.)
Albascan dhe pronari i saj, Elision Jorgjis u vunë nën akuzë nga SPAK pas dëshmisë të shtetases Migena Shcroeder. Kjo e fundit, ish pronare e kompanisë AESS, dëshmoi para prokurorëve së tenderi i laboratorëve ishte një plaçkitje me fitues të paracaktuar, kompaninë Albascan dhe kompaninë e saj AESS si nënkontraktore. Kompania e zonjës Schroeder do të siguronte internetin wireles, ndërsa Albscan laptopët dhe punimet për instalimin e tyre në klasa.
Sipas dosjes së SPAK, Albascan pasi mori 17 milionë eurot nga AKSHI i kaloi pjesën përkatëse AESS së Schroederit plus 1.1 milionë euro pagesa korruptive, të cilat Schroeder, sipas dëshmisë së saj, më pas ja kaloi kompanisë së Ergys Agasit nën presion si rryshfet. Por kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës. E vërteta e plotë është ndryshe.
Përfituesi real i tenderit 17 milionë euro të laboratorëve ishte kompania Advanced Business Solutions, e biznesmenit Gerond Meçe. Albascan u caktua fituese tenderi si prestanome nga treshja Karçanaj, Shima, Meçe për shkak se në atë kohë tenderi u përfol publikisht si korruptiv dhe i paracaktuar për kompaninë e Meçes. Edhe Shcroederin në tender e futi Gerond Meçe.
Rrjedhimisht pjesa më e madhe e parave përfundoi tek kompania e tij me skemën e zakonshme të nënkontraktimeve. 3500 laptopët e tenderit u importuan nga shoqëria Infosoft e Grigor Jotit. Kjo e fundit ja shiti Advanced Business Solution të Meçes, ndërsa kjo ja shiti Albascanit.
Laptopët ndërruan tre duar dhe kjo nuk ishte pa qëllim, por për të justifikuar çmimin e lartë me të cilin ata iu shitën AKSHI-t, rreth 4700 euro për një laptop. Dhe nga dogana deri tek AKSHI çmimi i tyre u rrit me 4 herë. Përveç kësaj, punimet për instalimin e laptopëve në klasat laboratorike janë bërë nga ABS e Gerond Meçes. Këto janë lehtësisht të verifikueshme për SPAK.
Ndaj pyetja e madhe që mbetet pa përgjigje është se pse prokurorët nuk ndoqën ku kanë shkuar 17 milionë eurot e tenderit famoz të laboratorëve? Ky është rasti i parë, kur vetë SPAK sekuestron 1.1 milionë euro të një tenderi, thotë në dosje se tenderi është korruptiv, por nuk e heton atë për të parë se ku kanë shkuar 16 milionë eurot e tjera.
Kjo ka disa hipoteza. Ose SPAK po heton paralelisht në dosje tjetër për këtë çështje, ose nuk do të ngrejë akuzë mbi Gerond Meçen, i cili pas rrëmbimit përflitet se është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë. Por bërja pentito, gjithsesi nuk mund të aministojë paranë e vjedhur.
Ndaj e gjithë kjo ngre një dyshim të madh. A i është vënë barrierë SPAK për të mos hetuar paratë e Meçes? Ku shkuan 16 mln eurot e laboratorëve dhe 50 milionë eurot e kontratave publike të ABS-së? Pa përgjigjet e këtyre pyetjeve, hetimi AKSHI nuk do të jetë kurrë i plotë, por i damkosur me dyshimin e madh të aministisë për hijen e rëndë që qëndronte pas Meçes. Në Tiranë e dinë të gjithë se kush është ajo hije.