Lajme nga vendi

Akuzat e Arben Ahmetaj/ Nga inceneratorët, KAYO, portet, Delvina, Eko Parku dhe Onkologjiku

Akuzat e Arben Ahmetaj/ Nga inceneratorët, KAYO, portet, Delvina, Eko Parku

Arben Ahmetaj ka dhënë intervistën e pestë ekskluzive për “Çim Peka Live”, në Syri TV, duke dalë me një seri akuzash të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, segmenteve të SPAK-ut dhe sistemit të drejtësisë, ministrave, zyrtarëve dhe biznesmenëve të ndryshëm.

Në intervistë, Ahmetaj është ndalur te vettingu, reformimi i drejtësisë, çështja e tij penale, dosja “Buka”, inceneratorët, Eko Parku, KAYO dhe T-MAC Defense, projektet në Delvinë dhe shëndetësi, energjia, Data Center-i në Durana, tenderi për avionët zjarrfikës, portet e Durrësit dhe Vlorës, çështja Becchetti, zgjedhjet dhe protesta.

Ai ka deklaruar se disponon dokumente dhe materiale që, sipas tij, mbështesin akuzat e ngritura gjatë intervistës. Në një pjesë të saj është përmendur edhe një regjistrim audio.

Boshti i gjithë deklarimeve të tij është Edi Rama, të cilin Ahmetaj gjatë intervistës nuk e quan me emër në shumë raste, por “kreu i organizatës”.

“Vetingu është bërë nën kujdestari politike të kreut të organizatës”
Ahmetaj e ka nisur sulmin ndaj sistemit të drejtësisë duke bërë një ndarje mes institucioneve dhe “segmenteve” të tyre.

Ai tha se nuk i fut të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në një thes dhe se ende beson se brenda sistemit mund të ketë njerëz që do të veprojnë për të rikthyer atë që ai e quan rend kushtetues.

Por, kur foli për vettingun, deklarimi i tij ishte i drejtpërdrejtë:

“Vetingu është bërë nën kujdestari politike të kreut të organizatës.”

Ahmetaj tha se në procesin e vettingut kanë pasur rol tre figura, të cilat ai i lidhi drejtpërdrejt me rrethin e Ramës: një këshilltare e kryeministrit që, sipas përshkrimit të dhënë në intervistë, ka kaluar nga zyrat e Kryeministrisë në vetting; motra e Belinda Ballukut; dhe vajza e një miku të hershëm të Ramës.

Gazetari Çim Peka përmendi emrat e këshilltares Sanxhaktari, Genta Bungës dhe motrës së Belinda Ballukut.

“Ekzaktësisht. Është nepotizëm politik dhe familjar i drejtpërdrejtë”, u përgjigj Ahmetaj.

Ai ngriti pyetjen se në ç’vend të botës mund të ndodhte një situatë e tillë dhe tha se, ndërkohë, të njëjtët persona ose struktura paraqiten në raporte si histori suksesi të reformës.

Ahmetaj pretendoi gjithashtu se njerëz të tjerë janë skualifikuar nga vettingu për fenomene të njëjta me ato që, sipas tij, janë toleruar te personat që ai përmendi.

“Segmentet e SPAK-ut kanë përmbysur rendin kushtetues”
Kritika ndaj drejtësisë nuk u kufizua te vettingu.

Ahmetaj tha se beson ende te Shtetet e Bashkuara, te “vendet anëtare”, te Gjykata Kushtetuese dhe te Gjykata e Lartë, por bëri një ndarje të fortë me segmente të caktuara të drejtësisë shqiptare.

“Segmente të SPAK-ut dhe segmente të drejtësisë kanë përmbysur rendin kushtetues në pseudo-drejtësi.”

Ai e krahasoi mënyrën e veprimit të këtyre segmenteve me periudha të errëta të drejtësisë shqiptare, duke thënë se brutaliteti i tyre do t’i kishte zili edhe Aranit Çela.

Ahmetaj tha se ishte bindur se reforma në drejtësi ishte një “mision kombëtar” dhe se sot i kërkon falje publike shqiptarëve për besimin që kishte te Rama.

Ai tha se nuk kishte menduar kurrë se deformimi i sistemit do të niste nga vettingu.

“Kreu i organizatës ka rënë”
Ahmetaj e ka vendosur pjesën më të madhe të akuzave në raport me Edi Ramën, të cilin e ka quajtur vazhdimisht “kreu i organizatës”.

Ai tha se kur kërkonte vota për Partinë Socialiste dhe Ramën, kjo parti ende nuk ishte “mbërthyer nga tentakulat kanceroze të kreut të organizatës”.

Ai pranoi se kishte punuar fort për fitoren e Ramës dhe të PS-së, por këmbënguli se kjo përbënte përgjegjësi morale dhe politike, jo përgjegjësi penale.

Sot, ndryshimin e tij e përshkroi me një metaforë ekstreme:

“Ja ka dalë të jetë qeliza alfa kancerogjene në trupin e Shqipërisë dhe të Partisë Socialiste.”

Ahmetaj tha se nuk e di nëse Partia Socialiste do të mbijetojë ndaj “metastazave” të Ramës, ndërsa Shqipëria, sipas tij, do të mbijetojë sepse ka “antikorpe fantastike”.

Kur Peka e pyeti nëse po fliste për Partinë Socialiste, Ahmetaj e korrigjoi:

“Jo, është kreu i organizatës.”

Ai e krahasoi Ramën edhe me “një kioskë të vitit ’91, që nuk ka çfarë të shesë më. I ka shitur të gjitha”.

Dhe deklaroi:

“Kreu i organizatës ka rënë.”

Ahmetaj sqaroi se intervistat e tij nuk synojnë ta rrëzojnë Ramën, sepse, në vlerësimin e tij, ai ka rënë tashmë politikisht.

Duke kaluar te zgjedhjet dhe konkurrenca politike, Ahmetaj përdori një tjetër metaforë të fortë.

“Ky njeri, përveç se ka prishur rregullat e lojës, ky ka vjedhur dhe fushën e lojës, e ka grabitur dhe lojtarët e tjerë sot janë jashtë fushës së lojës me brekë në minus 10 gradë, në aspektin metaforik.”

Ai e quajti “qesharake” idenë se ndryshimi territorial apo një reformë elektorale mund të zgjidhë problemin.

“Jo, zgjedhje lokale, zgjedhje lokale? Do t’ju grijë krimi i organizuar.”

Ahmetaj tha se krimi i organizuar, oligarkët, administrata dhe paratë “e kanë zhdukur fushën”.

Ai shtoi se edhe nëse Donald Trump do të vinte në Shqipëri, nuk do të kishte zgjedhje, sepse “ka vjedhur rregullat e lojës”.

“Struktura e Ballukut dhe e kreut të organizatës është më e fortë se kurrë”
Një prej akuzave të tij kryesore është se hetimet e SPAK-ut, sipas tij, kanë prekur individë të veçantë, por nuk kanë goditur strukturën që ai e konsideron thelbësore.

“Segmentet e SPAK-ut kanë çmontuar bullonat, jo strukturën.”

Ahmetaj përmendi në mënyrë konkrete AKSHI-n, rrugët, energjinë dhe kadastrën.

“Struktura e Belinda Ballukut dhe e kreut të organizatës dhe në AKSH, dhe në rrugë, dhe në energji, dhe në kadastër, vazhdon. Struktura nuk është cenuar, zoti Peka. Struktura është më e fortë se kurrë.”

“A ka një hetim të një grupi të strukturuar kriminal? Nuk ka”
Ahmetaj e sfidoi SPAK-un për atë që e konsideron mungesë të hetimeve ndaj grupeve të strukturuara kriminale.

“SPAK-u sot, segmentet e SPAK-ut, a ka ndonjë, zoti Peka, e ke thënë ti 100 herë. A ka një, një tek, një, një tek, në gjenezë, hetim, të një grupi të strukturuar kriminal? Nuk ka.”

Ai pretendoi gjithashtu se shërbimet inteligjente të vendeve aleate e kanë përdorur sistemin shqiptar si “postë”, duke përcjellë informacione dhe sinjale, pasi nuk kanë besim te disa segmente të institucioneve.

18 raportet e KLSH-së dhe dëmi prej 9 miliardë eurosh
Ahmetaj tha se gjatë kohëve të fundit kishte lexuar 18 raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Dëmi është 9 miliardë euro. Në ato 18.”

Ai tha se ishte ndalur në sektorë të ndryshëm: shëndetësi, rimbursime, oksigjen, rrugë, energji, kadastër dhe AKSHI.

“Te shëndetësia, te këto çudira te oksigjeni, te rimbursimi… Çudira! Çudira, te rrugët ke çudira, te energjia ke çudira, te kadastra ke çudira, te AKSHI vazhdon Geron Meçe tani të ngrejë kokën.”

Ahmetaj e lidhi këtë me mënyrën se si, sipas tij, SPAK-u godet individë të veçantë për të krijuar përshtypjen se struktura është goditur.

Ai ironizoi: “Ja futëm Gysit tashi ta zbusim një çikë, variantin e Erion Velisë, ja futëm Ben Ahmetaj, tani hajde pimë uiski se shpëtuam.”

Dhe pyeti:

“Këtë, kujt ia tregoni këtë? Domethënë, këto segmentet e SPAK-ut, i tallen me njerëzit, i marrin për budallenj?”

“Do të isha 38 muaj në paraburgim”
Ahmetaj e lidhi situatën e drejtësisë me dosjen e tij.

Ai tha se sot do të kishte 38 muaj në paraburgim nëse nuk do të ishte larguar dhe se familja e tij do të ishte duke numëruar ditët e burgimit.

Ai foli për shkarkimin e tij si një vendim politik të Ramës dhe tha se familja është përballur me pasoja të rënda.

“Brutaliteti ndaj çështjes sime dhe familjes sime ka kaluar në nivel gjenocidi.”

Ahmetaj tha se familja i është shpërndarë, fëmijët janë traumatizuar dhe pronat janë sekuestruar.

“Unë jam psikologjikisht, shpirtërisht në burg prej 38 muajsh.”

Ai e lidhi këtë situatë me Ramën, Belinda Ballukun, Erion Veliajn dhe një ish-ministër, emrin e të cilit nuk e bëri publik në atë pjesë.

Kërcënimet dhe grupet kriminale
Ahmetaj tha se është kërcënuar dhe se “kanë vënë grupe kriminale të më kërcënojnë”.

Ai tha se telefonatat dhe SMS-të e fundit i kanë ardhur nga zona që i konsideron të lidhura me trafikun e kokainës në Shqipëri.

“Unë nuk numëroj më veten time. Unë numëroj fëmijët e mi dhe familjen time.”

Ai tha se qindra persona, përfshirë edhe nga grupi parlamentar socialist, e kanë telefonuar për ta paralajmëruar për rrezikun.

Në një tjetër pjesë ai tregoi për një koordinator që e lidhi me Ramën dhe që, sipas rrëfimit të tij, e kishte kërcënuar.

Ahmetaj përdori shprehjen “e vras me dorën time”, duke e lidhur reagimin me historinë e gjyshit të tij, Zenel Ylli, dhe tha se për veten e tij “do të kthehem në çelik”.

Një nga akuzat ishte pretendimi se jashtë burgut ishte tentuar të rrëmbehej fëmija i tij më i vogël.

Ahmetaj tha se ekzistojnë kallëzime dhe raporte për këtë ngjarje dhe se ka ruajtur komunikime e SMS që, sipas tij, mund të ndihmojnë në identifikimin e personave.

Ai përmendi edhe një pronar të një kompanie sigurie pranë Parkut të Liqenit, por nuk bëri publik emrin.

“Fëmijën tim, ti s’e prek dot”, deklaroi ai, duke shtuar: “Larg qoftë Zotit, të guxosh ta prekësh, historia nuk mbaron aty.”

Në të njëjtën kohë, Ahmetaj tha se nuk do të merret me fëmijët e kundërshtarëve të tij dhe se çdo përballje do ta bëjë përmes ligjit.

Ahmetaj iu referua edhe fëmijëve të tij Livia dhe Kejsi, duke thënë se ishte kontrolluar nëse ata kishin marrë ndonjë pagesë.

Ai pretendoi se edhe Kelis, fëmija i tij 5 vjeç e gjysmë, ishte përfshirë në hetim.

“Po shërbim ndaj publikut është. Po bëj shërbim ndaj publikut duke u marrë me fenomenin.”

Ai tha se disponon dokumente mbi pagesat e shkollimit të shumë personave, përfshirë ministra, gjyqtarë dhe prokurorë, por këmbënguli se nuk do të përdorë fëmijët e tyre për t’i sulmuar.

Çështja “Buka” – “Për këtë akuzohem”
Ahmetaj tha se dy dosjet kryesore në të cilat dëshiron të japë shpjegime janë “Buka” dhe inceneratorët.

Për “Bukën”, ai tha se akuzohet për shpërdorim detyre dhe e quajti çështjen absurde.

Ai pretendoi se prokurori ka gënjyer në gjykatë dhe se gjyqtari e ka pranuar këtë interpretim.

Ahmetaj tha se disponon procesverbale dhe dokumente, si dhe dy vendime, një të Gjykatës Kushtetuese dhe një të Gjykatës së Lartë, që, sipas tij, nuk janë zbatuar nga segmente të drejtësisë.

Ai u ndal te mënyra se si janë përdorur çmimet e tregut të vitit 2014 për vlerësimin e aksioneve shtetërore.

Në mbështetje të argumentit të tij, ai solli një procesverbal ku, sipas citimit të bërë prej tij, thuhej:

“Përsa i përket pjesës, në asnjë rast nuk kam pretenduar që i kanë ardhur dëm interesave të shtetit, por të shtetasve. Mund të jetë një lapsus.”

Ahmetaj tha se prokuroria kishte folur për dëm ndaj shtetit, ndërsa dëshmitari kishte folur për dëm ndaj qytetarëve.

Ai pretendoi se shteti kishte përfituar mbi 3 milionë euro dhe se vlera e aksioneve ishte rritur rreth tre herë, duke pranuar se mund të mos e mbante mend me saktësi shifrën.

“Pra, shqiptarët duhet ta kuptojnë që unë akuzohem se kam mbrojtur në ligjshmëri të plotë interesat e qytetarëve dhe të shtetit dhe të buxhetit të shtetit. Për këtë akuzohem te ‘Buka’.”

Mbi inceneratorët
Kur kaloi te inceneratorët, Ahmetaj deklaroi se nuk ishte i përfshirë.

“S’kam bërë unë asnjë tender në jetë.”

Ai tha se nuk ka qenë autoritet kontraktor, vlerësues apo tenderues.

Nuk ka qenë kryeministër, tha ai, dhe këmbënguli se nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes përkatëse.

Po ashtu, pretendoi se asnjë nga punonjësit e tij nuk kishte komunikuar me personat e inceneratorëve përmes emailit.

“Unë nuk kam bërë asnjë tender në jetë.”

Ahmetaj i cilësoi njerëzit e përfshirë në çështjet e inceneratorëve si “kokë turku” dhe tha se ata kishin besuar te Rama njësoj siç kishte besuar edhe ai.

Për Elbasanin përmendi “17 vendime fap e fap” dhe pyeti:

“Ku është emri im dhe çfarë i dhashë unë kujt?”

Për Fierin tha se në vendim nuk shfaqet emri i tij dhe as Ministria e Ekonomisë.

Ai deklaroi se inceneratorët janë bërë nga “kreu i organizatës”.

Ahmetaj bëri edhe një pretendim të drejtpërdrejtë për Erion Veliajn.

Ai tha se ditën kur ishte lëshuar urdhër-arresti ndaj tij, Veliaj kishte hapur uiski me drejtorët.

Sipas rrëfimit të Ahmetajt, Veliaj i kishte thënë:

“Kryeministri s’ka më arrestime se e mbylli ky. E mbylla unë!”

Ahmetaj pretendoi se, nëse ai do të kishte vdekur në burg, do të kishte pasur një tjetër festë dhe më pas Rama do të kishte dalë publikisht për të shprehur keqardhje.

Eko Parku – “Fëmija i kreut të organizatës ka marrë para”
Në një tjetër pjesë, Ahmetaj paraqiti dokumente që ai i identifikoi si prova për Eko Parkun.

“Eko Parkun. Ku e kanë Eko Parkun? Po ja mo, 1 sekondë. Se do ta tregoj. Ja ku e ke. Ja ku e ke Eko Parkun.”

“Fëmija i kreut të organizatës ka marrë para, imagjino të merrte Livia ime një para nga inceneratorët. E mo qytetar, a mendojeni ju, të merrte Livia ime ose Kejsi im të merrte një para nga inceneratorët? Ja mo, ku e keni. Ja. E ka firmosur kreu i organizatës për fëmijën e tij.”

Ai vazhdoi duke thënë:

“Paratë kanë shkuar te fëmija e tij.”

Ahmetaj e lidhi këtë me mënyrën se si, sipas tij, drejtësia ka trajtuar çështjen e tij dhe familjen.

Ter Koka dhe vendimi i shpronësimit për Fierin
Ahmetaj u ndal edhe te Ter Koka.

Ai sqaroi se nuk merr përsipër të mbrojë të gjitha veprimet e tij:

“Nuk marr unë përsipër çfarë ka bërë Teri mo, punët e tija. Nuk marr përsipër.”

Por ai kundërshtoi mënyrën se si ishte trajtuar një letër që, sipas tij, kishte të bënte me çmimin e truallit.

“Ej, trajtojeni me çmimin e truallit, që të mos harxhoj para nga buxheti i përgjithshëm.”

Ahmetaj tha se vendimi i shpronësimit për Fierin mban firmën e Ramës dhe pyeti pse Ter Koka ishte dënuar me katër vjet për një letër që, sipas tij, synonte mbrojtjen e buxhetit.

“Katër vjet, epo se dhe gjobat e makinave do t’ia rrasim Terit. Do ja rrasim Benit, pastaj do pimë uiski.”

Ai tha se dokumentet e çështjes e kanë bërë të humbasë çdo iluzion për segmente të gjykatës.

Ahmetaj kërkoi që procesi ndaj tij të ndiqet publikisht dhe që mediat të shohin dokumentet.

Ai kritikoi veçanërisht mënyrën se si, sipas tij, gjykatat i trajtojnë dokumentet:

“Brenda mureve bëjnë, këta s’lexojnë fare, të kërcasin, të këpusin kokën: ‘A ka fol drejtësia’. Cila drejtësi? Drejtësia e segmenteve të drejtësisë të kreut të organizatës?”

Ai përmendi edhe sekuestrimin e shtëpisë së tij, të cilin tha se e ka pasur dy herë, duke pretenduar se Gjykata e Lartë e ka konsideruar masën joproporcionale.

KAYO – “Koncepti që fut tubin në kraharorin e buxhetit”
Ahmetaj më pas hapi një kapitull të ri me KAYO-n.

Ai foli për një regjistrim ku, sipas përshkrimit të tij, shfaqet Ron Yefet dhe dy persona që flasin rusisht ose ukrainisht, mes tyre një person i quajtur Igor.

Ai e lidhi materialin me Delvinën dhe pretendoi se prej nëntë ose dhjetë muajsh po bëhej një përpjekje për ta marrë projektin dhe për t’ia dhënë Ron Yefetit.

Ahmetaj e shpjegoi “KAYO concept” si një model ku shteti krijon një kompani dhe më pas hyn në sipërmarrje të përbashkëta me kompani private, ku pala private zotëron 80% dhe shteti 20%.

Ai pretendoi se në këtë mënyrë mund të orientohen para dhe shërbime publike drejt kompanive private pa tender.

Ai e përshkroi modelin me një metaforë:

“Fut tubin në kraharorin e buxhetit të shtetit.”

T-MAC Defense dhe 947 milionë lekë
Ahmetaj u ndal gjatë te pasqyrat financiare të T-MAC Defense.

Ai tha se kompania është krijuar nga KAYO, Ron Yefet dhe një partner tjetër dhe se struktura e pronësisë është 80% private dhe 20% shtetërore.

Sipas shifrave që ai lexoi në intervistë, kompania kishte 14 punonjës, me paga rreth 860 euro, ndërsa vlera e shtuar e tyre ishte rreth 150 mijë euro në vit.

Aktivet afatgjata, sipas tij, ishin rreth 220 mijë lekë.

Ndërsa totali i pasurive arrinte rreth 947 milionë lekë.

Ahmetaj theksoi se 947 milionë lekë nuk duhen lexuar si kapital, por si pasuri dhe parapagime.

Ai ngriti pyetjen se ku ishte kapitali i investuar nga pala private dhe e përshkroi T-MAC si një strukturë që merr para nga buxheti.

Ai përmendi edhe shifrën 3.1 milionë dhe pretendoi se bëhej fjalë për para publike.

“Ron Yefet qesh me paratë e shqiptarëve”, tha Ahmetaj.

Delvina dhe modeli që ai pretendon se po përsëritet në shëndetësi
Ahmetaj pretendoi se modeli i KAYO-s po përgatitet të përdoret edhe në sektorin e shëndetësisë.

Ai përmendi një biznesmen tjetër izraelit, “Sani”, të cilin e dalloi nga Ron Yefet.

Në një grup komunikimi, tha Ahmetaj, ishte thënë se ministrja “iku se nuk firmosi”.

Ai e lidhi këtë me pretendimin se ministrja e Shëndetësisë kishte refuzuar të firmoste një marrëveshje pa tender.

Ahmetaj u bëri thirrje deputetëve socialistë që kishin votuar ligjin për KAYO-n të mos e ulnin kokën, pasi, sipas tij, i njëjti model mund të përsëritej në shëndetësi.

“Ermal Raketa” dhe presioni për projektet e mbrojtjes
Në intervistë u përmend edhe Ermal Raketa, të cilin Ahmetaj e identifikoi si ish-zëvendëssekretar të përgjithshëm, më pas kryetar bordi të KAYO-s dhe ministër të Mbrojtjes.

Ahmetaj shpjegoi edhe origjinën e nofkës “Ermal Raketa”, duke treguar një episod ku Rama, sipas rrëfimit të tij, i kishte thënë: “Ermal, ti po më zhgënjen”, ndërsa Ermali ishte përgjigjur: “Unë për ty bëj dhe raketë!”

Ahmetaj tha se Forcat e Armatosura e kishin përdorur më pas këtë si nofkë.

Ai pretendoi gjithashtu se ndryshimi i komandantit të Forcave Tokësore ishte bërë qëllimisht dhe kërkoi që të hetoheshin transferimet dhe mënyra se si, sipas tij, paratë publike shkojnë te miq dhe klientë të pushtetit.

Onkologjiku, Smart City, Gysi
Ahmetaj i lidhi akuzat për KAYO-n dhe T-MAC me një seri projektesh të tjera.

Ai përmendi paratë e Onkologjikut dhe ngriti pretendime për lidhje mes tyre dhe përfitimeve të personave që ai përmendi.

Në këtë pjesë përmendi Ermal Beqirin, Gys Agasin, Sani-n, Mirsadin, Valonin dhe “Smart City”.

Ai foli për “klonim të krimit me fytyrën e klonuar të Gys Agasit”.

Këto deklarime u përdorën prej tij për të argumentuar se modeli ekonomik dhe institucional që ai kundërshton nuk kufizohet te një kompani e vetme.

Familja, One dhe 4 milionë eurot
Ahmetaj tha se familja e tij është përbuzur dhe fëmijët janë “torturuar”.

Ai pretendoi se gruaja e tij kishte humbur punën për shkak të dëmtimit të imazhit nga akuzat.

Në këtë kuadër ai përmendi kompaninë One dhe pretendoi se ajo ka një kontratë me vëllain e Erion Veliajt, të lidhur, sipas tij, me kërkesë të Ramës.

Ai foli për një shumë “4 milionë e kusur”.

Ahmetaj e lidhi këtë me Eco Parkun dhe Kopshtin Eden.

Për Kopshtin Eden ai tha se kishte kushtuar 4 milionë dhe ishte krijuar për çlodhje.

Ai përmendi edhe peshqit japonezë në këtë ambient dhe përdori ironi për mënyrën se si, sipas tij, trajtohen fondet publike.

Në një tjetër pretendim, ai tha se mbi 3 milionë euro vlerë vere ishin zhdukur dhe pyeti pse SPAK-u dhe policia nuk kishin hetuar.

“Nuk kam të afërm që ndërtojnë resorte”
Në mbrojtje të vetes, Ahmetaj tha se nuk ka të afërm që ndërtojnë resorte në jug, kushërinj që marrin tenderë apo vëlla që ka përfituar licencë kazinoje.

Ai tha se nuk ka familjarë me leje ndërtimi dhe se nuk ka kriptomonedha.

Në të kundërt, pretendoi se njerëz brenda drejtësisë dhe kabinetit qeveritar “notojnë në kripto”.

Ai akuzoi Ramën se ka “ngrënë kumbulla dhe dardhë” në kurriz të Shqipërisë dhe e përsëriti përshkrimin e tij si “qeliza alfa kancerogjene”.

Ahmetaj e përshkroi përplasjen e tij me pushtetin si një luftë.

“Jam në luftë me një mafi në pushtet dhe në media.”

Ai akuzoi Ramën se ka ndikuar në media dhe përmendi Top Channel, duke pretenduar se sulmet ndaj tij kanë qenë të urdhëruara.

Përmendi edhe Fatmir Xhafajn, Ditmir Bushatin dhe figura të tjera politike që, sipas tij, janë përballur me të njëjtën mënyrë presioni.

Ahmetaj akuzoi Ramën se ka mbushur vendin me kanabis dhe drogë, ka shitur ose dorëzuar prona publike te klientët, ka eliminuar konkurrencën në tendera dhe ka forcuar krimin e organizuar.

Ai pretendoi edhe se licenca kazinoje u janë dhënë përfaqësuesve të lidhur me Sinaloan.

Mbi rindërtimin pas tërmetit: S’kam bërë tendera
Ahmetaj u kthye edhe te periudha e rindërtimit pas tërmetit.

Ai tha se kishte paralajmëruar një person të afërt që në vitin 2019, ndërsa në vitin 2020 kishte hyrë në qeveri sepse nuk donte që procesi i rindërtimit të lihej në duart e njerëzve që, sipas tij, do ta trajtonin në mënyrë cinike tragjedinë.

Ai pretendoi se kishte shkruar në ligj se nuk do të merrej me tendera dhe se nuk kishte bërë tendera rindërtimi.

Mbi protestën: Jam totalisht i përfshirë
Ahmetaj deklaroi se protesta nuk është diçka ku ai është thjesht spektator.

“Jam aspak i jashtëm, totalisht i përfshirë.”

Ai kujtoi pjesëmarrjen e tij si student në dhjetor 1990–1991 dhe grevën e urisë.

Një familjar i tij, tha ai, merr pjesë çdo ditë në protestë dhe i ka thënë: “Kam gjetur shpirtin dhe zemrën.”

Ahmetaj e përshkroi protestën si “gjëja më e bukur që i ka ndodhur shpirtit të Shqipërisë” në më shumë se 30 vjet.

Ai tha se ajo është më shumë se një betejë për një qeveri: është, sipas tij, një përpjekje për të rikthyer ndërgjegjen e shoqërisë.

Ai përmendi protestuesit, diasporën dhe njerëzit që, sipas tij, janë stigmatizuar nga Rama.

Ahmetaj kërkoi që protesta të mos trajtohet si pronë e një partie.

Ai tha se në të duhet të marrin pjesë të gjitha forcat që besojnë te rregullat e lojës.

Për përfshirjen e figurave të opozitës tha:

“i rroftë Belindit, Gazit, apo qoftë edhe Saliut”.

Ai kritikoi njëkohësisht opozitarët që, sipas tij, kanë ruajtur marrëdhënie me Ramën.

Peka kundërshtoi disa prej këtyre pikave, duke argumentuar se opozita ka qenë e pranishme në protestë dhe se ka dërguar njerëz atje.

Ahmetaj këmbënguli se protesta duhet të jetë e përbashkët.

Dhe paralajmëroi:

“Në qoftë se ky arrin të gëlltisë protestën, nuk ka Shqipëri… vdiq Shqipëria, fitoi kanceri.”

Në një tjetër moment e përmblodhi:

“U mbyt protesta, mbaroi Shqipëria.”

Ai pretendoi gjithashtu se qeveria po përpiqet të krijojë rreth 2 mijë vende pune në administratë për të absorbuar protestuesit, duke e konsideruar këtë një mënyrë të pamjaftueshme për ta shuar protestën.

Apologjia ndaj shqiptarëve
Ahmetaj tha se i ka kërkuar falje shqiptarëve që kanë besuar te Rama.

“E kam dashur si vëlla”, tha ai, duke shpjeguar se nuk kishte imagjinuar se njeriu që dikur e konsideronte një shpresë për Shqipërinë do të përfundonte, në vlerësimin e tij, duke e çuar vendin drejt errësirës dhe krimit të organizuar.

Ai kërkoi falje edhe ndaj Fatos Lubonjës.

Ahmetaj tha se e kishte paragjykuar Lubonjën kur ky kishte folur kundër Ramës dhe se sot beson se shumë prej paralajmërimeve të tij ishin të sakta.

“Unë ndihem fajtor që besova te një njeri që kancerizoi Shqipërinë.”

Peka e kundërshtoi duke e cilësuar apologjinë si “qoka” dhe duke kujtuar se edhe Lubonja kishte qenë dikur mbështetës i Ramës.

Ahmetaj këmbënguli se falja e tij ishte e sinqertë dhe se nuk po bënte një deklaratë mediatike, por po fliste nga një situatë ku, sipas tij, kishte vënë në rrezik edhe jetën e vet.

Durana, Data Center-i dhe dyshimet për kriptomonedhat
Ahmetaj pretendoi se para publike mund të jenë devijuar përmes heqjeve të paligjshme të taksave dhe më pas të përdoren në projektin e Data Center-it në Durana.

Ai tha se qendra do të konsumonte 3.2 megavat në orë dhe ngriti dyshimin se mund të përdorej edhe për prodhimin e kriptomonedhave.

Përmendi Jet Bank dhe biznesmenë lokalë.

Ai ngriti pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse në Shqipëri do të ndërtoheshin 100 Data Center-a dhe pse energjia do t’u jepej me çmime të favorshme në vend të çmimeve të tregut.

“Unë s’kam asgjë me Sanin që të bëjë biznes. Por jo me paratë e shqiptarëve.”

Kontrata Thumanë–Kashar
Ahmetaj kritikoi edhe opozitën për mungesën e diskutimit, sipas tij, për kontratën Thumanë–Kashar.

Peka e quajti një “grabitje”, ndërsa Ahmetaj përmendi faktin se opozita e kishte dërguar çështjen në SPAK, duke iu referuar Gazment Bardhit dhe Belind Këlliçit.

Ai e përfshiu këtë çështje në argumentin e tij më të gjerë për projektet publike dhe mënyrën se si ato, sipas tij, u shpërndahen aktorëve të privilegjuar.

Avionët zjarrfikës – Thrush kundër Air Tractor
Ahmetaj tha se një çështje tjetër që duhet ndjekur është tenderi për avionët zjarrfikës.

Ai tha se konkurrenca ishte mes Thrush Aircraft dhe Air Tractor dhe se procedura ishte hapur gjatë kohës kur Piro Vëngu drejtonte ministrinë përkatëse.

Vlera, sipas tij, ishte rreth 14.4 milionë euro për dy avionë amfibë.

Ahmetaj tha se argumentet teknike favorizonin avionët me rrota, por se kjo nuk ishte pranuar sepse “Rama” kishte vendosur Air Tractor.

Ai tha se EFA/Thrush kishte njoftuar autoritetet se me 14.4 milionë euro mund të sillte tre avionë me rrota deri më 26 maj.

Sipas Ahmetajt, Ermal Raketa fillimisht kishte qenë dakord, por më pas ishte thirrur dhe i ishte bërë presion dhe EFA ishte skualifikuar.

Ai tha se avionët ende nuk kishin mbërritur në kohën e intervistës.

Ahmetaj përmendi gjithashtu masa ose vendime ndaj Air Tractor në Spanjë, Greqi dhe Kili, duke theksuar se nuk po paragjykonte kompaninë, por po kërkonte të hetohej procedura shqiptare.

“Shteti bektashi është fyerje dhe shpërbërje, ne jemi shqiptarë.”
Ahmetaj kundërshtoi me forcë idenë e krijimit të një “shteti bektashi”.

Ai e quajti një shaka dhe fyerje dhe tha se mund të krijojë rrezik për fragmentimin e shtetit.

Ai foli edhe nga pozicioni i traditës familjare, duke thënë se familja e tij ka qenë bektashiane dhe se gjyshja e tij ishte shumë e lidhur me këtë komunitet.

Por Ahmetaj theksoi se shteti shqiptar është ndërtuar nga bektashinjtë, ortodoksët, katolikët dhe myslimanët sunitë.

“Ne jemi shqiptarë.”

Ai tha se ka një studim nga një grup profesional i inteligjencës që, sipas tij, e konsideron këtë çështje një rrezik të mundshëm për fragmentimin e shtetit.

Ahmetaj pyeti edhe për motivet e projektit, duke përmendur si mundësi “pastrim parash” dhe “shpërbërje të shtetit”.

“Belinda Balluku emëron ministra dhe i kërcënon.”
Ahmetaj ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj Belinda Ballukut.

“Belinda Balluku emëron ministra. Emëron ministra dhe e kërcënon, në qoftë se ia prek ministrat.”

Ai tha se ish-ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ishte “masakruar” për shkak të një ligji që, sipas tij, do të krijonte një kartel në shëndetësi.

Ai e lidhi këtë me modelin që kishte përshkruar për KAYO-n dhe marrëveshjet pa tender.

Ahmetaj e cilësoi Shqipërinë “narkoshtet” dhe pretendoi se ekonomia nuk funksionon më përmes konkurrencës.

Ai foli për “15 oligarkë”, të cilët i lidhi me projekte si KAYO, Jet Bank, Porti i Durrësit dhe Porti i Vlorës.

Në këtë kuadër ai kritikoi edhe Bashkimin Evropian dhe pyeti se çfarë kuptimi kanë negociatat nëse, sipas tij, parimet e shtetit të së drejtës shkelen.

Porti i Durrësit, Marina dhe Porti i Vlorës
Ahmetaj kërkoi të dinte se kush punon në Portin e Durrësit dhe pse SPAK-u, sipas tij, nuk ndërhyn atje.

“Pse nuk e bllokon ky Marinën e Durrësit?”

Ai pyeti gjithashtu pse SPAK-u merret me Portin e Vlorës dhe pretendoi se ka pasur një tendencë për t’ia dhënë atë dikujt.

Në këtë kontekst përmendi Behgjet Pacollin dhe mundësinë e një arbitrazhi.

Becchetti dhe 132 milionë eurot
Ahmetaj e akuzoi Ramën se nuk është përgjigjur për çështjen Becchetti.

“Ke dëmtuar buxhetin e shtetit 132 milionë euro, ti, me SMS-të e tua. Përgjigju.”

Ai e krahasoi këtë me çështjen e tij dhe pyeti se çfarë dëmi ka shkaktuar ai me firmat e veta.

Për Ahmetajn, ky është një shembull i asaj që ai e konsideron standard të dyfishtë të drejtësisë.

Kadastra, Benet Beci dhe urdhrat e arrestit
Në fund të intervistës, Ahmetaj ngriti një sërë pyetjesh për raste të tjera gjyqësore.

Ai pyeti:

“Pse s’e marrin ish-drejtoreshën e Kadastrës?”

Ai e lidhi këtë me pretendime për deformim dhe grabitje pronash.

Më pas pyeti për Benet Becin dhe pretendoi:

“Pse ia grisi Ben Kraja dhe Altin Dumani urdhrin e arrestit?”

Për Plarent Ndrecën tha se është normale që ai të gjykohet në liri, por e krahasoi këtë me mënyrën se si u trajtuan Ilir Meta dhe Erion Veliaj.

“Pse Ilir Meta është hequr zvarrë? Pse Erion Veliajn e morën zvarrë nga zyra?”

Ahmetaj iu kthye edhe çështjes së tij dhe faktit se urdhri i arrestit ndaj tij ishte lëshuar kur ai ishte deputet.

Ai e përmblodhi kritikën ndaj SPAK-ut me një tjetër deklarim:

“Vazhdon gjakderdhja financiare, dhe ti s’i prek. Kujt ia tregon ti mo? Ore, shqiptarët s’janë naivë.”

Përfundimi: beteja që Ahmetaj thotë se do ta vazhdojë
Në të gjithë intervistën, Ahmetaj e ka paraqitur përplasjen e tij me Ramën dhe segmente të drejtësisë si një betejë që, sipas tij, shkon përtej dosjes personale.

Ai ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur veten dhe familjen dhe se nuk do të ndalet së foluri.

“Deri në ditën e fundit të jetës time.”

Ai tha se nuk ka frikë.

“S’kam frikë fare! Zero!”

Në planin politik, ai tha se nuk e di nëse Partia Socialiste do t’i mbijetojë “metastazave” të Ramës, por shprehu bindjen se Shqipëria do të mbijetojë.

Në planin institucional, ai tha se ende beson te Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të BE-së.

Në planin politik dhe qytetar, ai e konsideroi protestën si mekanizmin kryesor për rikthimin e asaj që e quan “fusha e lojës”.

Dhe në qendër të gjithë argumentit të tij qëndron një akuzë: se në Shqipëri nuk janë prishur vetëm rregullat e konkurrencës politike, por është zhdukur vetë terreni ku ajo konkurrencë mund të zhvillohet.

“Ka vjedhur rregullat e lojës.”

*Intervistën e plotë të Ahmetajt me gazetarin Çim Peka në Syri Tv e ndiqni KËTU

Hashtag.al

Editorial