
Eksportet e kompanive shqiptare ranë për të pestin vit me radhë në muajin Janar duke cekur nivelin e vitit pandemik, ku e gjithë ekonomia ishte e mbyllur. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se ekonomia shqiptare po përballet me një fenomen të paregjistruar asnjëherë më parë, rënien e pandalshme dhe të stërgjatë të eksporteve.
Sipas INSTAT, në janar të këtij viti eksportet e mallrave jashtë rezultuan 26.7 miliardë lekë ose rreth 277 milionë euro (1 euro=96.4 lekë), nga 31 miliardë lekë që ishin në janar të vitit të kaluar. Të dhënat historike dëshmojnë se ky është niveli më i ulët i eksporteve për muajin janar që nga viti 2021 kur fabrikat ishin të mbyllura për shkak të pandemisë.

Kjo rënie dramatike ka si burim kryesor forcimin e lekut, kryesisht ndaj euros, e cila i ka dhënë një goditje dyfishe dhe fatale sektorit prodhues të ekonomisë. Së pari, forcimi i lekut ul vlerën e eksporteve për shkak të efektit numerik të këmbimit. Por goditja e dytë që është edhe ajo më malinje, lidhet me gërryrjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Forcimi i lekut i bën produktet shqiptare më të shtrenjta për botën e jashtme duke i bërë ato më pak konkurruese në treg. Kjo i lë prodhuesit vendas që punojnë për eksport, përpara dy alternativave. Ose të ulin çmimet duke asgjësuar marzhet e tyre të fitimit deri në humbje ose të ndërpresin prodhimin.
Ky me sa duket është edhe fenomeni që po ndodh tashmë gjerësisht në sektorin prodhues të ekonomisë shqiptare, ku sektorë të tërë kanë dalë jashtë tregut të eksporteve për shkak se nuk janë konkurrues duke diktuar mbylljen e fabrikave dhe rënien e prodhimit vendas.
Sektorët kryesorë që kanë marrë goditjen më të madhe nga zhvillimet e kursit të këmbimit janë industria përpunuese, veçanërisht fasoni, por edhe ajo nxjerrëse. "Gjatë muajit Janar 2026, në uljen e eksporteve prej 4,5 %, negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje , “Tekstile dhe këpucë” me
-1,8 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,4 pikë përqindje, etj," tha INSTAT