Premtonin të pastronin Shqipërinë, por e ndotën edhe më keq... moralisht, ekologjikisht dhe financiarisht. Ndonëse u paguan qindra milionë euro në gati një dekadë, projektet e tre inceneratorëve nuk e bënë “Shqipërinë më të pastër” siç u premtua. Ndër vite shifrat janë luhatur, por emëruesi i përbashkët është se më pak se 5 për qind e mbetjeve të gjeneruara janë menaxhuar nga inceneratorët.
“Strategjia e menaxhimit të mbetjeve me anë të djegies ishte e gabuar që në krye të herës ndaj kemi këto rezultate sot. Shumë pak mbetje mund të trajtohen me djegie”, thotë për A2 CNN Mihallaq Qirjo, Qendra Burimore Mjedisore.
Edhe më e paktët është sasia e mbetjeve të djegura për të prodhuar energji elektrike. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se sasia ka qenë e papërfillshme në harkun e tetë viteve të fundit. “Energjia që prodhohet nga inceneratorët është e vogël si pasojë edhe e kompozimit të mbetjeve. Për të prodhuar energji nga mbetjet, nevojiten sasi të konsiderueshme plastike, letre të thatë dhe lëndësh djegëse, të cilat në Shqipëri zakonisht riciklohen në mënyrë informale ose përfundojnë në landfill pa ndarje në burim. Kjo e bën procesin e djegies jo vetëm joefikas, por edhe të dëmshëm për mjedisin, pasi lëshon gazra ndotës për një rezultat minimal energjetik”, thotë Qirjo.
Ndërsa Shqipëria ka hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, një nga kapitujt më sfidues që e pret në këtë rrugë është Kapitulli 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.
Ky kapitull kërkon jo vetëm përputhje ligjore me direktivat e BE-së, por edhe zbatim real në terren, veçanërisht në një nga fushat më problematike: menaxhimin e mbetjeve. Në këtë drejtim vendi duhet të rishikojë strategjinë e vetë.
A2CNN