Ish kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri do të drejtojë Operatorin e Blerjeve të Përqendruara, agjencinë më të madhe të tenderave në Shqipëri. Kapitali ka mësuar se Myzyri është prezantuar këtë të enjte si drejtues i OBP duke zëvendësuar në këtë post, Arlinda Pogajn, e cila formalisht u dorëhoq, por zërat janë që e dorëhoqën.
Myzyri u shkarkua nga KPP pas një hetimi të SPAK, ku Prokuroria e Posaçme e mori edhe të pandehur. Por më vonë vetë SPAK i rrëzoi akuzat ndaj tij duke kërkuar pushimin e çështjes. Muajin e kaluar për këtë çështje reagoi edhe kryeministri Edi Rama.
"Më lejoni të sjell në vëmendje faktin se njeriu që transformoi prokurimin publik u bë target i baltës, pasi për arsye siç ndodh me një shtet me drejtësi të pavarur, u mor nën hetim, si rezultat i hetimit rezultoi pa lidhje me asnjë lloj faji apo problemi. Por, balta që iu hodh iu hodh për të shkatërruar personalisht dhe familjarisht, e bëri të vetën dhe nuk më ka rënë në sy asnjë lloj reflektimi apo kërkese ndjese nga askush lidhur me atë që i bënë atij njeriu," tha Rama pas asaj që ndodhi me Myzyrin.
Tashmë ish kreu i KPP do të drejtojë agjëncinë më të madhe të tenderave në vend, ku luhet leku më i madh i shtetit.