
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka qenë politikania e parë, por edhe e vetme deri më tani, që ka reaguar ndaj kërcënimeve me jetë të drejtorit të MCN Tv, Endri Meksi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku i ka bërë thirrje publikisht Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të marrin menjëherë masat për të garantuar sigurinë si dhe të vendosin përpara ligjit autorët duke u shprehur se ky nuk është një test vetëm për organet e ligjit, por edhe për vet politikën.
Postimi i plote i Tabakut
Kërcënimi i përsëritur ndaj pronarit të MCN TV nuk është thjesht një incident i izoluar. Është një rast i përsëritur që, fatkeqësisht, vjen në një moment kur kultura e fyerjes dhe e sulmit ndaj gazetarëve ka arritur nivele të reja.
Ky mjedis toksik, ku gjuha politike ndaj medias është denigruese dhe ku kritika trajtohet si armik e jo si pjesë e demokracisë, krijon një terren ku kërcënimi dhe intimidimi bëhen të mundshme.
Nuk është rastësi por po kthehet në kulturë e sponsorizuar nga një qeveri që sulmon gazetarët. Një qeveri që nuk respekton median me fjalë, nuk mund të pretendojë se e mbron atë me veprime.
Prandaj, ky nuk është vetëm një test për organet e drejtësisë për të hetuar dhe ndëshkuar çdo kërcënim. Është një test për vetë politikën dhe për mënyrën si flet, si sillet dhe si e trajton fjalën e lirë.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë të marrin menjëherë masa për këtë rast të përsëritur, të garantojnë sigurinë dhe të zbardhin plotësisht ngjarjen, duke vënë përpara përgjegjësisë çdo autor.
Sepse liria e medias nuk cenohet vetëm me dhunë fizike. Ajo cenohet çdo ditë; me gjuhë, me presion dhe me përpjekje për ta delegjitimuar.
Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës me një klimë frike ndaj medias dhe kjo klimë duhet të marrë fund.
