Lajme nga vendi

Koray i Kurumit ble hidrocentralin e Lengaricës

Koray i Kurumit ble hidrocentralin e Lengaricës

Hidrocentrali i Lengaricës, një nga projektet më kontroverse për ndikimin në mjedis, ka ndërruar pronar. Grupi austriak ENSO e ka shitur hec-in tek kompania Albasteel, e cila zotërohet nga Koray Zeytinoglu, i njohur ndryshe si Koray i Kurumit, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me kompaninë e prodhimit të çelikut.

Shuma e blerjes nuk është bërë publike, por Kapitali ka mësuar se bëhet fjalë për një transaksion rreth 15 deri në 20 milionë euro.

I ndërtuar pak metër mbi kanionin e njohur të Lengaricës, hidrocentrali me të njëjtin emër ka një fuqi të instaluar prej 8.9 megavatësh. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, ky hec ka një prodhim vjetor që luhatet nga 20 deri në 30 mijë mega energji në vit duke gjeneruar rreth 2.3 milionë euro të ardhura në vit.

Koray Zeytinoglu është një nga figurat më kyçe brenda kompanisë turke Kurum. Për 20 vjet ai ka mbajtur postin e administratorit të Kurum, ndërsa së fundmi është këshilltari kryesor i kësaj kompanie.

Koray i Kurumit ble hidrocentralin e Lengaricës

Koncesioni
Koncesioni për ndërtimin e hidrocentralit të Lengaricës iu dha në vitin 2008 një kompanie të panjohur shqiptare, e quajtur Hasi Energji, që zotërohej nga dy aksionerë, Astrit Dhromaj dhe Hasan Leka.

Me koncesionin në dorë, Hasi Energji krijoi në vitin 2011 një kompani të përbashkët me austriakët e Enso Hydro të quajtur Lengarica & Energy. Fillimisht Hasi Energji i transferoi 20 % të aksioneve të koncesionit tek austriakët e Enso-s dhe më pas ia shiti të gjitha për 800 mijë euro.

Më 3 gusht 2011, Enso Hydro mori kontrollin e të gjitha aksioneve të Lengarica & Energji. Vlerësohet se Hasi Energji shpenzoi 15,000-20,000 mijë euro për koncesionin para se ta shiste atë tek austriakët e “Enso” për 800 mijë euro.

Masakër mjedisore
Pasi Enso Hydro mori kontrollin e plotë të kompanisë “Lengarica & Energy”, projekti për ndërtimin e një hidrocentrali të vetëm me kapacitet 8.9 MW eci përpara në lumin e Lengaricës.

Për të financuar projektin, kompania austriake siguroi financim nga IFC-ja e Bankës Botërore dhe një banke tregtare gjermane, ndërkohë që punimet në terren nisën në verën e vitit 2013, pavarësisht kundërshtive të fuqishme nga grupet mjedisore lokale.

Hidrocentrali në zonën e banjave të famshme të Bënjës u ndërtuar edhe pse vet qeveria e Sali Berishës e kishte shpallur zonën e Hotovë-Dangëllisë një Park Kombëtar në Dhjetor 2008, por vetëm pasi kompanisë Hasi Energji i ishin aprovuar koncesioni dhe leja mjedisore.

Hidrocentrali i Lëngaricës përdor 8 metër kub ujë për sekondë nga prurjet totale të lumit me të njëjtin emër, duke lënë vetëm 0.2 metër kub për sekondë të rrjedhë në kanion.

Editorial