Qeveria ka regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompaninë shtetërore që do të kryejë sterilizimin e instrumentave kirurgjikalë në spitalet publike. Operatori i shërbimeve të integruara të sterilizimit do të jetë një shoqëri aksionare, që do të kryejë shërbimin i cili deri më tani ka qenë me koncesion tek kompania Saniservice.
Sipas dokumentave të depozituara në QKB, administratorja e kompanisë do të jetë Arisa Cane, një mjeke embriologe, ndërsa aksionet e saj do të zotërohen nga Ministria e Shëndetësisë.
"Objekti kryesor i veprimtarisë së shoqërisë aksionare OSHIS sh.a. është ofrimi kundrejt pagesës të shërbimeve të mëposhtme: ofrimin e seteve të personalizuara të instrumenteve kirurgjikalë sterile; furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale; trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale," thuhet në objektin e aktivitetit të kompanisë.
Sipas statutit, shoqëria aksionare OSHIS sh.a ofron shërbimet e përcaktuara kundrejt të gjitha spitaleve publike universitare, rajonale dhe bashkiake në Republikën e Shqipërisë. Por ndërkohë ajo mund të ofrojë edhe shërbime të tjera shtesë për subjektet publike, por edhe ato private.
Ndërkohë mbetet e paqartë se cilat do të jenë tarifat e aplikuara nga kjo shoqëri për shërbimin që do të ofrojë për spitalet. A do të vazhdojnë këto tarifa të jenë njësoj si ato të koncesionarit Saniservice apo shoqëria shtetërore do të aplikojë çmime më të ulëta.
Tarifat e sterilizimit u rritën ndjeshëm 10 vjet më parë, kur qeveria ja kaloi këtë shërbim me koncesion kompanisë Saniservice duke ngjallur jo pak akuza publikisht për korrupsion. Madje pagesat nga buxheti i shtetit pët koncesionarin arritën deri në 20 milionë euro në vit, ndërkohë që hetimet e SPAK më vonë provuan se koncesioni ishte një aferë korruptive çka çoi në arrestimin e disa zyrtarëve të lartë dhe njërit prej aksionerëve të koncesionarit.