Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se aksioni kundër informalitetit që Tatimet kanë nisur në sektorin e ndërtimit do të vazhdojë deri në muajin maj. Kreu i Financave tha se sektori ka informalitet të gjerë, veçanërisht tek pagat.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky sektor vuan mungesën e krahut të punës dhe pikërisht pagat që deklarohen në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin me të cilin përballet sektori i ndërtimit”, tha Malaj.
Sipas tij, pas nisjes së fushatës ndërgjegjësuese pagat janë rritur ndjeshëm për 118 mijë punonjës në rang vendi.
“Pas mesazheve ndërgjegjësuese, një pjesë e mirë e subjekteve kanë reflektuar dhe më konkretisht. Për 118,000 të punësuar në sektorin e ndërtimit, në dhjetor 2025, kemi patur një rritje të fondit të pagave me 9%, krahasuar me muajin shtator 2025, duke arritur në rreth 78 milionë euro”, tha Malaj.
Kreu i financave sqaroi se aksioni në ndërtim do të mbyllet më 23 maj dhe është i ndarë në 3 faza.
“Faza e parë e këtij plani sapo ka filluar dhe ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave, të çmimeve të shitjes së agjencive imobiliare, por edhe formalizimin e tyre. Faza e dytë e këtij plani do të fokusohet te nën kontraktorët të cilët nuk kanë reflektuar në ligje për pagat dhe ndaj tyre do të bëhen rivlerësime në çmimet reale të shitjes. Ndërkohë, do të investigohet edhe burimi i financimit. Transaksionet e dyshuara do të raportohen te Drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave për vetëvlerësimet më të mëtejshme. Faza e tretë e këtij plani do të fokusohet te ndërtuesit. Detyra e riskut do të identifikohen ata ndërtues të cilët nuk kanë reflektuar në dy fazat e para”, tha Binaj.
Sipas ministrit të Financave, pas ndërtimit, kontrollet kundër informalitetit do të shtrihen edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, si turizmi, siguria ushqimore, tregtia online dhe tregu i qiradhënies së makinave.