Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka prezantuar në komisionin parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme, projektligjin “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”.
Vengu u shpreh se ky projektligj nevojitet për të modernizuar kontrollin shtetëror mbi transferimet ndërkombëtare të armëve të zjarrit.
“Projektligji 'Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve', vjen si një përgjigje ndaj një nevoje reale për të modernizuar kontrollin shtetëror mbi transferimet ndërkombëtare të armëve të zjarrit”, tha Vengu.
Ministri u shpreh ndër të tjera se janë nënshkruar gjashtë kontrata mes kompanisë shtetërore “KAYO” dhe 6 operatorëve privatë.
Këto kontrata, sipas tij, parashikojnë prodhimin e municioneve, prodhimin e mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidronë dhe mjetet e Emergjencave Civile. Vengu tha se prodhimi i produkteve të para “Made in Albania”, pritet të fillojë këtë vit.
“Për sa i përket industrisë ushtarake. Kemi 6 kontrata të nënshkruara aktualisht për krijimin e 6 kompanive shtet-privat përmes kompanisë shtetërore 'KAYO' dhe 6 operatorëve privatë. Gjashtë kontratat parashikojnë prodhimin e municioneve, prodhimin e mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidronë dhe mjetet e Emergjencave Civile. Jemi gjithashtu në përfundim të negociatave me 'Fincantierin' për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit, për të pasur mundësi të prodhojmë dhe mirëmbajmë mjete jo vetëm për vendet tona, por edhe për vendet aleate. Presim që produktet e para 'Made in Albania' për tri nënproduktet që përmenda, mjetet taktike, mjetet e emergjencave, uniformat dhe municionet, prodhimet e para të fillojnë këtë vit”, u shpreh ministri.
Më tej ai shtoi se Ministria e Mbrojtjes po realizon hapat përfundimtarë për rishikimin strategjik të Mbrojtjes 2026.
“Ministria e Mbrotjes është duke realizuar hapat përfundimtarë për rishikimin strategjik të Mbrojtjes 2026. Është një dokument i rëndësishëm që buron nga disa detyrime, qoftë nga samiti i fundit i Hagës.
Një pjesë e mirë e vendeve aleate po bëjnë rishikime të strategjive të tyre dhe patjetër kjo detyroi Shqipërinë të marrë masa të ngjashme”, tha ministri.
CNA