Sekuestrimi i pajisjeve elektronike si celularët apo kompjuterat nuk është më e drejtë ekskluzive vetëm e SPAK-ut. Tashmë edhe Tatimet kanë filluar të sekuestrojnë kompjuterat e kompanive, në kuadër të hetimeve që bëjnë për evazionin fiskal.
Administrata Tatimore njoftoi se sekuestroi njësitë kompjuterike të disa agjencive imobiliare gjatë kontrolleve të ditëve të fundit. Sekuestrimet janë bërë nga Hetimi Tatimor, në kuadër të kontrolleve për Zbatimin e Planit Sektorial të Ndërtimit.
Përmes një njoftimi zyrtar, Tatimet bënë të ditur se kanë ushtruar kontrolle të detajuara në 9 agjenci imoboliare, ku kanë gjetur shkelje të rënda ligjor nga mosdeklarimi i punonjësve deri tek evazioni me çmimet e shitjes së apartamenteve.
"Nga informacioni i marrë nga njësitë kompjuterike rezulton se ka evazion tatimor me çmimet e shitjeve të apartamenteve," thuhet në njoftimin e Tatimeve.
Administrata paralajmëroi se aksioni i sapo nisur në sektorin e ndërtimit nuk është i përkohëshëm, por do të vijojë me vendosmëri ndaj çdo subjekti që fsheh taksat dhe nuk deklaron punonjësit me pagën reale.