Agjencia "Moody’s Ratings" ndryshoi vlerësimin për perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në pozitive dhe konfirmoi vlerësimet e vendit për borxhin afatgjatë në monedhë të huaj dhe vendas, si dhe vlerësimet për borxhin prioritar të pashiguruar në monedhë të huaj, në nivelin Ba3.
Ndryshimi i perspektivës në pozitive pasqyron forcimin e pozicionit fiskal dhe të jashtëm të Shqipërisë, gjë që do të përmirësojë aftësinë e vendit për të përballuar goditjet, nëse ky trend ruhet.
Perspektiva pozitive pasqyron gjithashtu përshpejtimin e fundit të ritmit të zbatimit të reformave strukturore në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ruajtja e ritmit të reformave do të mbështeste forcimin e profilit institucional të Shqipërisë, përfshirë efikasitetin e administratës publike, efektivitetin e politikës fiskale dhe një shtet të së drejtës më të fortë.
Konfirmimi i vlerësimit Ba3 për Shqipërinë pasqyron ecurinë solide të rritjes ekonomike dhe nivelet e moderuara të borxhit publik. Institucionet kanë filluar të forcohen në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, por ende vihen re mangësi në shtetin e së drejtës dhe në kontrollin e korrupsionit.
Nevojat relativisht të larta për huamarrje bruto dhe rreziqet në sektorin bankar, të lidhura me rritjen e shpejtë të çmimeve të banesave, e ekspozojnë Shqipërinë ndaj goditjeve të mundshme të papritura.
Shqipëria regjistroi suficite primare të vogla në secilin prej tre viteve të fundit, pas vendosjes së një rregulli fiskal që kërkon ruajtjen e një bilanci primar jo-negativ. "Moody’s" parashikon që deficiti fiskal të jetë mesatarisht 2,3% e PBB-së në vitet 2026 dhe 2027 – duke pasqyruar kryesisht shpenzime më të larta kapitale – përpara se të ulet gradualisht në rreth 1,6% të PBB-së në vitin 2030.
E mbështetur nga rritja e fuqishme ekonomike dhe deficitet fiskale të kontrolluara, "Moody’s" parashikon një ulje të vazhdueshme dhe graduale të borxhit të qeverisë së përgjithshme, i cili pritet të arrijë në 50,2% të PBB-së në vitin 2027, nga 52,9% që ishte në fund të vitit 2025.
Pozicioni i jashtëm i Shqipërisë u forcua ndjeshëm në vitin 2025, ku deficiti i llogarisë korrente ra në nivelin më të ulët historik prej 0,7% të PBB-së, krahasuar me 2,4% në vitin 2024.
"Moody’s" pret që deficiti i llogarisë korrente të mbetet i ulët, me një mesatare prej rreth 1% të PBB-së në periudhën 2026-2027, i mbështetur nga të ardhurat e fuqishme nga turizmi dhe flukset e qëndrueshme të remitancave.
Rezervat valutore qëndronin në rreth 7,9 miliardë euro në qershor të vitit 2026, shumë më tepër se sa vlera e importeve për shtatë muaj.