Lajme nga vendi

Nënshkruhet marrëveshja/ ADGF do të garantojë kreditë e bizneseve të vogla në ABI Bank

Nënshkruhet marrëveshja/ ADGF do të garantojë kreditë e

Bizneset e vogla, të cilat nuk kanë kolaterale për të garantuar marrjen e një kredie, mund të përfitojnë nga një program mbështetje.

Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim dhe ABI Bank nënshkruan një marrëveshje të re partneriteti për të zgjeruar aksesin në financim për bizneset në Shqipëri, me fokus kryesor te bizneset mikro dhe të vogla në segmentin NOA /Abi.

Përmes këtij partneriteti, ADGF do të ofrojë garanci kredie për të mbështetur kreditimin nga ABI Bank që përmbush kriteret e përfitimit, duke ndihmuar bizneset të kapërcejnë kufizimet e lidhura me kolateralin, të cilat mund të pengojnë aksesin e tyre në financim.

Bashkëpunimi synon t’u mundësojë sipërmarrësve të investojnë në aktivitetin e tyre, të forcojnë veprimtarinë dhe të shfrytëzojnë mundësitë për rritje.

Bizneset mikro dhe të vogla luajnë një rol thelbësor në ekonominë shqiptare, duke mbështetur punësimin dhe zhvillimin lokal. Megjithatë, aksesi në financim mbetet një sfidë për shumë ndërmarrje me plane biznesi të realizueshme dhe aftësi për të shlyer kredinë.

Duke mbuluar një pjesë të riskut të kreditimit, garancitë e ADGF mund të ndihmojnë në kapërcimin e kësaj pengese dhe të lehtësojnë financimin përmes institucioneve financiare partnere.

Marrëveshja e re mbështetet në bashkëpunimin shumëvjeçar të ADGF me NOA dhe e vijon këtë marrëdhënie përmes ABI Bank, duke ruajtur një fokus të veçantë te nevojat për financim të bizneseve më të vogla.

“Përmes këtij partneriteti me ABI Bank, synojmë ta bëjmë financimin më të arritshëm për më shumë biznese mikro dhe të vogla. Roli ynë është të ndihmojmë ndërmarrjet e qëndrueshme të kapërcejnë pengesat që lidhen me kolateralin, në mënyrë që të investojnë, të rriten dhe të kontribuojnë në punësim dhe në zhvillimin ekonomik lokal”, u shpreh Gertjana Drita, Drejtoreshë Ekzekutive e ADGF.

Marrëveshja zgjeron më tej rrjetin e institucioneve financiare partnere të ADGF dhe mbështet misionin e tij për të përmirësuar aksesin në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri, nevojat financiare të të cilave nuk mbulohen mjaftueshëm.

Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim është një institucion i pavarur financiar në Shqipëri, i krijuar në korrik të vitit 2015 dhe i financuar nga fondet e Bashkimit Europian. Misioni i tij kryesor është të lehtësojë aksesin në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme Përmes instrumenteve të tij të garancisë, ADGF ka mbështetur më shumë se 30,700 përfitues, duke garantuar mbi 232 milionë Euro kredi.

Editorial