Grupi bankar gjerman ProCredit, i pranishëm në 12 vende të ndryshme, do të drejtohet nga një shqiptare.
"Eriola Bibolli, anëtare e Bordit Menaxhues të ProCredit Holding AG, do të marrë përsipër detyrën e Kryetares së Bordit Menaxhues dhe CEO-s nga Hubert Spechtenhauser nga data 1 mars 2026, siç ishte planifikuar," njoftoi ProCredit Holding AG.
ProCredit Holding është kompania mëmë e një grupi bankash tregtare të fokusuara në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat operojnë në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Ekuador dhe Gjermani. Aktualisht grupi ProCredit është prezent në 12 vende duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Gjermaninë, Serbinë etj.
"Për ProCredit, mundësia për të mbushur tani pozicionin e kërkuar të Kryetarit të Bordit Menaxhues nga radhët e veta është një shenjë e fortë e kulturës së saj korporative dhe forcës së brendshme”, shpjegoi Kryetari i Bordit Mbikëqyrës Rainer Ottenstein. “Me emërimin e Znj. Bibolli, kemi gjetur kandidaten ideale. Znj. Bibolli mishëron stabilitetin, ndërsa nxit një qasje të përmirësuar ndaj dixhitalizimit, shkallëzueshmërisë dhe rritjes dinamike në përgjithësi,” shtoi ai.
E lindur në Shqipëri, Eriola Bibolli ka studiuar administrim biznesi në Universitin e Korrcës dhe filloi karrierën e saj profesionale me grupin ProCredit në vitin 2001 në filialin e ProCredit Bank në Kosovë. Nga viti 2007 deri në vitin 2019, ajo mbajti pozicionin e Zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme dhe anëtare e Bordit Menaxhues përpara se të emërohej Drejtoreshë e Përgjithshme në vitin 2019.
Ajo kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e suksesshëm të bankës. Në vitin 2023, znj. Bibolli u bë anëtare e Bordit Menaxhues të ProCredit Holding AG. Ajo ka qenë aktive në tregjet e synuara të ProCredit në Evropën Juglindore dhe Lindore për shumë vite dhe ka fituar ekspertizë të gjerë në operacionet që u shërbejnë klientëve të biznesit dhe atyre me pakicë.
“Grupi ProCredit ka qenë shtëpia ime profesionale për më shumë se dy dekada dhe mezi pres përgjegjësitë e mia të reja”, tha znj. Bibolli në fillim të mandatit të saj si CEO e grupit.