Kryeministri Edi Rama deklaroi se tashmë investitorët konsiderohen pronarë legjitim të tokës ku do të ndërtohet resorti në Zvërnec. Pavarësisht se SPAK e bllokoi transaksionin e shitblerjes së tokës për shkak të hetimit për origjinën e pronës dhe dyshimeve se pronarët që mbajnë titujt e pronësisë mund t'i kenë përfituar ato me manipulime, Rama tha procesi do të vazhdojë përpara dhe fondet do të mbeten aty për të kompesuar këdo që rezulton pronar.
“SPAK ka vendosur të ngrijë fondet pa i lënë të kalojë tek shitësit e tokës, ka një proces hetimor dhe kjo është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse çështja e origjinës së pronës do mbulohet nga një hetim i pavarur dhe profesional përmes SPAK. Në të dyja rastet rezultati do jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore ndërsa për pretendimet do t’i japë fund çdo spekulimi që nuk është bazuar në ligj. Në rast se shitësi ka origjinën legjitime të pronës do marrë paratë, në rast se jo, paratë do i mbeten Republikës së Shqipërisë, dhe do provojë cilindo që do pretendojë se pretendimin mbi pronën e ka. Merr fund këtu pretendimi i atyre që janë të sinqertë dhe ata që kanë kurdisjen e tyre me duar të tjera nga mbrapa”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se tashmë investitorët konsiderohen pronarë legjitimë të pronës.
“Zhvillim pozitiv për procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë për sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe çlirimin e investitorëve që tashmë janë edhe pronarë. Ndërkohë e konsideroj shumë pozitivë që SPAK ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kaloj në te shitësi.
Mbetet e paqartë se me çfarë akti do t'u jepet titulli i pronësisë së tokës investitorëve. Po kështu edhe e paqartë është edhe se si qeveria do të procedojë me lejet e ndërtimit për resortin.