Lajme nga vendi

"Rrezikojmë të na vdesin të burgosurit"/ Gjykata Administrative rikthen CFO Pharma-n në tregun e rimbursimeve

"Rrezikojmë të na vdesin të burgosurit"/ Gjykata

Një vendim i çuditshëm dhe me nota të forta komike i Gjykatës Administrative të Tiranës ka rikthyer sërish në tregun e rimbursimeve kompaninë CFO Pharma, e vënë nën akuzë nga prokuroria për dirigjimin e një skemë të madhe vjedhje me rimbursimet.

Gjykatësi Hazbi Balliu ka vendosur të pezullojë vendimin e marrë dy javë më parë nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, i cili i hoqi të drejtën kompanisë CFO Pharma, që të tregtonte ilaçe me rimbursimin.

Balliu ka urdhëruar që CFO të vazhdojë të tregtojë ilaçe të rimbursueshme dhë të ketë të drejtën e rimbursimit nga shteti, pavarësisht se kompania është nën akuzë nga prokuroria për skemë gjigande vjedhje me rimbursimet dhe administratori i saj është në kërkim për masën e arrestit me burg.

Por si është justifikuar ky vendim i Gjykatës Administrative? Këtu çështja merr nota komike.

Kompania CFO Pharma ka paraqitur në gjykatë një letër nga drejtori i Burgut të Fierit, Ervin Bushi, i cili shprehet i shqetësuar se prishja e kontratës me CFO Pharman rrezikon jetën e të burgosurve, pasi kompania furnizon në treg një ilaç, i cili përdoret gjerësisht në burgje.

"Rrezikojmë të na vdesin të burgosurit"/ Gjykata

Ervin Bushi, drejtori i burgut te Fierit

Nuk bëhet fjalë për një medikament jetëshpëtues, nga ata që përdoren për kurimin e sëmundjeve të rënda, por për një bar të rëndomtë. Megjithatë Gjykata ka vendosur që CFO Pharma të vazhdojë tregtimin e ilaçeve me rimbursim me qëllim që të mos rrezikohet jeta e të burgosurve.

Emri i Hazbiu Balliut u bë i njohur për publikun, pasi ai u cilësua nga kryeministri Edi Rama si përfaqësues i llogores së antiligjit, pasi ai çliroi një pallat të konfiskuar nga shteti që ishte ndërtuar pa leje.

Editorial