Lajme nga vendi

Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 mijë euro të ‘bosit’ të njohur, i lidhur me 'ARMO-n'

Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 mijë euro të ‘bosit’

Dy pasuri pasuri me vlerë 200 mijë euro, në pronësi të shtetasve Pajtim Braçaj dhe Gjino (Shkëlqim) LLeshaj, janë sekuestruar në kuadër të operacionit të koduar “Burimi”.

Për këtë operacion, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e një apartamenti në Selitë dhe 1 garazh në Selitë të Vogël.

44-vjeçari LLeshaj është i dënuar në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.

Ndërsa Pajtim Braçaj është dënuar në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike. VoxNews ka mësuar se se Pajtim Braçaj ka qenë pronari i kompanisë së naftës "Trade Petrol & Drilling" me seli në Fier e Tiranë.

Siç e dëshmojnë dhe dokumentat e mëposhtme "Trade Petrol & Drilling" ka qenë kompani e cila merrej me përpunimin e naftës bruto të prodhuar nga Armo.

Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 mijë euro të ‘bosit’

TPD-Trading Petrol & Drilling është krijuar në maj të vitit 2012, sipas të dhënave nga QKR.

Si u kap "mat" nga policia biznesmeni Pajtim Braçaj

Pajtim Braçaj njihet si një individ i lidhur me aksionerët e kompleksit “Taiwan” në Tiranë. Vëllai i tij Avni Braçaj zotëron 10 % të aksioneve të kompleksit ‘Taiwan.’

Në tetor 2015, Braçaj është arrestuar së bashku me Ajet Sulajn, vëllai tjetër i Besnik Sulajt si pjesë të një grupi kriminal i akuzuar për trafikimin e 700 kilogramëve kanabis.

Braçaj dhe Sulaj i kanë mohuar akuzat përpara gjykatës. Që nga viti 2012 e deri tani, administratorët e kompanisë TP&D Oil kanë ndryshuar disa herë.

Braçaj ishte një nga 7 personat e arrestuar pas zbulimit të laboratorit të drogës më 17 tetor 2015 në zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe sekuestrimit të 700 kg kanabis.

Braçaj dyshohej se transportonte drogë nga Kruja deri tek laboratori në Durrës.

Policia e Durrësit zbuloi laboratorin në një aksion të përbashkët me Policinë e Tiranës, Shkodrës dhe ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të operacionit policor të koduar "Koordinata". Vlera e kanabisit mund të kapte vlerën e 1 milione eurove.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 000 euro, në pronësi të 2 shtetasve të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Në vijim të hetimeve intensive, të kryera nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive/pronave, produkte të veprimtarive kriminale brenda dhe jashtë vendit, u finalizua operacioni i koduar “Burimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për vënien e sekuestros preventive mbi 1 apartament në Selitë dhe 1 garazh në Selitë të Vogël, me vlerë totale rreth 200 000 euro, në pronësi përkatësisht të shtetasit P. B., 63 vjeç, i dënuar në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike, dhe të shtetasit Gj. Ll. alias Sh. Ll., 44 vjeç i dënuar në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.

Hetimi për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera, me burime kriminale, në pronësi të këtyre shtetasve dhe shtetasve të lidhur me ta, vijon.

Voxnews

Editorial