Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të lirojë nga burgu ish drejtorin ekzekutiv të Bankers Petroleum, Hongping Xiao duke e zbutur masën ndaj tij në arrest shtëpie. Xiao ishte zyrtari i fundit që mbahej në qeli për dosjen Bankers Petroleum, ku prokuroria pretendonte se ishin bërë qindra milionë euro abuzime dhe evazion fiskal.
Ky vendim i GJKKO vjen vetëm pak ditë pasi ky institucion miratoi kërkesën e SPAK për zgjatjen edhe me tre muaj të afatit të hetimeve për këtë ccështje. Hongping Xiao ishte drejtori ekzekutiv në detyre i Bankers kur u arrestua nga Prokuroria e Fierit në korrik të këtij viti së bashku me ish drejtorin shqiptar Leonidha Cobo. Më pas ccështja Bankers kaloi në SPAK me argumentin se mund të rezultonin të përfshirë edhe zyrtarë të lartë.
Pas arrestimit, Bankers e liroi nga detyra Xiaon dhe emëroi si drejtor ekzekutiv, kroatin Andrija Kojaković.
Ndërkohë telashet për kompaninë kineze, që shfrytëzon me koncesion vendburimin e Patos Marinzës nuk kanë të sosur, pasi së fundmi Drejtoria e Doganave bllokoi totalisht aktivitetin e kompanisë për arsye të një gjobë në masën 130 milionë euro, historia e së cilës daton nga 2019-a.