Lajme nga vendi

SPAK merr në dorë dosjen e zezë të Bankers Petroleum

SPAK merr në dorë dosjen e zezë të Bankers Petroleum

Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencë për dosjen e bujshme të kompanisë kineze të naftës, “Bankers Petroleum Albania”, duke ia kaluar atë SPAK në Tiranë. Shkak raportohet se është bërë përfshirja e zyrtarëve të lartë të shtetit, një prej vjedhjeve më të mëdha të shtetit shqiptar.

Nga hetimet tre mujore, ka dalë se në aferën e kinezëve me arin e zi të nëntokës shqiptare janë përfshirë dhe zyrtarë të lartë të shtetit, duke bërë që Prokuroria e Fierit të shpallë moskompetencë dhe t'ia kalojë dosjen organit të lartë të akuzës në kryeqytet.

Në ditët e para të Korrikut 2025, Prokuroria e Fierit urdhëroi një operacion të befasishëm në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum Albania”, duke lëshuar 14 masa sigurie për punonjësit. 9 masa u ekzekutuan, 5 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim.

Procedimi penal ishte regjistruar më datë 30.12.2024 dhe hetimet nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar elementet e figurave të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal.

Ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.

Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.

Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme.

Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

Në pranga ra numri 1 i kompanisë Hongping Xiao, i cili prej vitesh drejtonte aktivitetin e Bankers Petroleum si dhe ish-drejtuesi i saj, Leonidha Çobo.

Mes të arrestuarve rezulton të jetë edhe ish-drejtuesi i sektorit të financës, Ardit Kero, i njohur ndryshe si ish-bashkëshorti i moderatores Arbana Osmani. Ardit Kero është i dyshuar si personi kyç në skemën e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, aktivitete këto të paligjshme të dyshuara se janë ushtruar nga kjo kompani.

Voxnews

Editorial